Filmi për Nënën Terezë pret përkrahjen e shtetit kosovar

Regjisori kosovar, Gjon Kolëndrekaj, i cili jeton në Itali, ka kohë që i ka vënë pikën skenarit të filmit “Kam etje”, të cilin e ka thurur në saje të kujtimeve që i kanë mbetur nga takimet me humanisten shqiptare, Nëna Terezë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kolëndrekaj, i cili vepron në Itali, së fundi është duke pritur përkrahjen e shtetit kosovar në mënyrë që të finalizojë ëndrrën e tij të kamotshme. Ai tashmë ka hedhur në letër projektin për të cilin pret “dritën” e gjelbër të institucioneve kulturore kosovare, në mënyrë që edhe Kosova të figurojë në mesin e bashkëfinancuesve të filmit që do të përmbyllë vitin e Nënës Terezë.
Kolëndrekaj po ashtu është regjisori dokumentarit 53-minutësh “Madre Teresa, un bamibino di nome Goxhe” (“Nëna Terezë, një fëmijë me emrin Gonxhe”), mbi tridhjetë mijë kopje të të cilit ka kohë që kanë vërshuar shtetin italian.
Regjisori i njohur, nëpërmjet telefonit, ka zbuluar detaje lidhur me projektin e tij të ri filmik, duke potencuar dëshirën e madhe që edhe Kosova të jetë pjesë e tij.
“Gjatë një takimi me ministrin e Kulturës, Valton Beqiri, i kam treguar se jam i interesuar të bëj një film për Nënën Terezë. Do të doja që brenda këtij muaji, të më kthejnë përgjigje nëse Kosova mund të financojë 15 për qind të filmit sepse e di që Kosova si shtet i ri nuk ka kushte të mira për kulturë”, ka thënë Kolëndrekaj.
Ai po ashtu ka shpjeguar se për realizimin e këtij filmi që parashihet të jetë i metrazhit të gjatë, ka marrë edhe “bekimin” e Vatikanit.
“Jam i vetmi që kam autorizimin e Kishës së Vatikanit për ta bërë një film të tillë dhe për faktin se Nëna Terezë ka qenë kosovare, dëshira ime është që edhe shteti i Kosovës të japë kontributin e vet”, ka thënë ai.
Tutje Kolëndrekaj ka zbërthyer idenë e projektit të tij filmik kushtuar humanistes Nëna Terezë.
“Filmi do të jetë ndërkombëtar ku do të përfshihen aktorë amerikan, italian dhe kosovarë”, ka thënë Kolëndrekaj duke shtuar se në rast se arrin të marrë përkrahjen e shtetit kosovar, filmi do të mund të ishte “hazër” në muajin dhjetor të këtij viti, kur edhe do të përmbyllet viti i 100-vjetorit të Nënës Terezë.
Sa i përket rrëfimit të “shkrirë” në skenar, Kolëndrekaj ka thënë se mbështetet në mendime të humanistes së madhe.
“Skenarin e kam shkruar vetë, por të gjitha gjërat janë mendime të Nënës Terezë, rrëfime të saj. Unë vetëm e kam paraqitur në pikëpamje artistike atë fuqi të saj që e kam vërejtur gjatë takimeve të mia me të”, ka thënë Kolëndrekaj.
Në anën tjetër Arbërore Riza, zëdhënëse dhe këshilltare e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, ka thënë se bashkëpfinancimi i filmit do të mund të bëhej vetëm përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës.
“Ministri Valton Beqiri, personalisht është takuar me regjisorin Gjon Kolëndrekaj dhe zyrtarisht, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, i janë dërguar të gjitha format e konkurrimit në QKK”, ka thënë Riza, duke shtuar se në adresë të Ministrisë së Kulturës nuk ka arritur ndonjë kërkesë zyrtare për bashkëfinancim të filmit.
Rasim Rexhaj, financier në Qendrën Kinematografike të Kosovës, ka thënë se deri tani projekti filmik i regjisorit Gjon Kolëndrekaj, nuk “ka trokitur” në dyert e QKK-së.
“Në adresë të Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk ka konkurruar ky film. Por mund të konkurrojë deri në përmbyllje të konkursit për bashkëfinancim të filmave”, ka thënë Rexhaj. /Koha Ditore/