Bardhi: Në Rumi kurrë s’ka pasur kishë serbe

Kisha e metaltë, e ngritur në vitin 2005 në majën e malit Rumia nga Kisha Ortodokse Serbe me ndihmën e ushtrisë serbo-malazeze, ka rikthyer tensionet e larta edhe brenda mazhorancës në Malin e Zi.
Në këtë ndërlidhje, kryeparlamentari malazias, Ranko Krivokapic, lider i Partisë Socialidemokratike, partnere e koalicionit qeverisës, një ditë më parë i ka dërguar “një mesazh” të fuqishëm ministrit të Rregullimit Hapësinor dhe Mjedisit, Branimir Gvozdenovic se,” nëse nuk është në gjendje të zbatojë obligimin ligjor për heqjen e kishës nga maja e malit të Rumisë, le të japë dorëheqje”.
Ndërkaq, ministri Gvozdenoviq është përgjigjur të mërkurën se as ministria, as qeveria nuk dëshirojnë turbulenca të reja në shoqërinë malazeze, “të cilat disa i presin me padurim”.
Ai shprehet se nuk duhet dyshuar se qeveria s`do të zbatojë vendimin ligjor për heqjen e objektit të ngritur në mënyrë të paligjshme në Rumi.

Kisha Ortodokse Serbe nëpërmjet një deklarate për opinion, të mërkurën, kërkesën e kryeparlamentarit për të hequr kishën e metaltë nga maja e Rumisë, e ka quajtur “destruksion dhe urrejtje shpirtërore ndaj atyre që e kanë ndërtuar në vendin ku ka ekzistuar dhe është rrafshuar nga turqit me rastin e okupimit të Tivarit në vitin 1571”.

Lidhja Demokratike, partia dominuese e shqiptarëve në trevën e komunës së Tivarit, ngritjen e kishës së metaltë në këtë mal, e sheh si një provokim të rrezikshëm antishqiptar. Lideri i kësaj partie më të vjetër te shqiptarët në Malin e Zi, Mehmet Bardhi shprehet se kurrë nuk ka pasur kishë ortodokse serbe në majën e këtij mali,”Olimp” për ne shqiptarët e Krajës. LD më kot vazhdimisht kërkon nga instancat lokale dhe shtetërore heqjen e saj. /Koha Ditore/

KOMENTOJE