“Sërish vjen marsi, sërish vjen stina, të gjallët e të vdekurit bëhen tok”, janë vargje nga një këngë shumë e popullarizuar dikur, e më pak e popullarizuar kohëve të fundit mes shqiptarëve. Kjo ngase shqiptarët lehtë e harrojnë historinë e tyre. Marsi, si muaj i tretë, ka sjellë shumë ngjarje domethënëse për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet tjera etnike e në vendet , që ata jetojnë për momentin. Fillimet e marsit të vitit 1998 sollën një ngjarje e një sakrificë sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe shumë anëtarëve të familjes Jashari dhe farefisit të tij. Ai me fjalën Liri e Bashkim Kombëtar i priu shumë betejave të qëndresës në emër të gatishmërisë për sakrificë sublime. Ngjarjet lavdëruan tokën ilire e kombin tonë dhe marsi i vitit 1998 fali për shqiptarët e të gjitha besimeve edhe një vend të shenjtë, të cilit ata duhet t’ia kthejnë vështrimin dhe të luten , ashtu si dinë, për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për gjithë bashkëkombësit, sepse kjo gjendja që është sot nuk premton shumë dhe për vëllezërit tonë në disa nga trojet etnike është e errët, është krejt skëterrë.
Po të ishte mes të gjallëve tani , komandanti legjendar Adem Jashari, do të ftonte që moti, liderë e njerëz të pendës nga trojet etnike dhe do të formonte rreth tij një ushtri dijetarësh për t’i dalë Zot kërkesave të kombit e për t’i mbrojtur në mënyrën më dinjitoze të drejtat e vëllezërve tonë, që në shumë troje etnike po nëpërkëmbën. Ai ka shkuar në amshim, por vepra e tij jeton. Shqiptarët kudo janë duhet në mars ta kthejnë, të gjithë, po, po, të gjithë shikimin drejt Prekazit të historisë së lavdishme dhe duke u betuar bashkë e të varri i komandantit të besatohen se do të jenë të bashkuar e do të punojnë , jo për xhepat e interesat e tyre, po për të mirën e kombit. Se kombi ynë, ishte dhe mbeti i ndarë. Se në Kosovë e Shqipëri po kremtojmë data të pavarësisë e lirisë, por pak e hiç po na shkon mendja në atë eufori festive se si i kanë punët vëllezërit tonë në viset e tyre stërgjyshore, që tani e sa vite janë të administruara nga Serbia, Mali i Zi a nga Maqedonia. Këta vëllezër i kemi harruar krejtësisht dhe nuk po qajmë kokën për të pyetur, bile një herë në vit, se si po jetojnë ata . Ata kishin dhënë shumë nga pasuria dhe qenia e tyre për lirinë e Kosovës . Ata ishin me Kosovën në vitet e vrara të saj, por tani si po u kthehet kjo nga dy shtetet shqiptare? Po të mendonin e ta kthenin, vetëm në fillimet e çdo marsi, liderët , intelektualët e shqiptarët në përgjithësi, shikimin e mendjen drejt Prekazit dhe varrit të Adem Jasharit e trimave të tjerë në Kompleksin e Dëshmorëve atje , atëherë do të mendonin ndryshe dhe do të bëheshin tok. Edhe Adem Jashari dhe familja e tij e nderuar kishin besimin e tyre fetar, por mbi të gjitha kishin vënë si angazhim sublim lirinë e kombit dhe bashkimin e tij. Ata e kanë nderuar Zotin, që është një, me këto angazhime dhe me besimin në të. Prandaj, ne shqiptarët e gjallë e mbi dhe, duhet të nisemi nga porosia e tij dhe e atdhetarëve të tjerë dhe të bëhemi tok të gjallët e të vdekurit dhe të drejtojmë lutjet, mendimet dhe besën drejt Prekazit të historisë dhe të punojmë, jo për ndarje fetare e partiake, po të punojmë për bashkimin e kombit.
Marsi solli e krijoi një vend të shenjtë për gjithë shqiptarët. Të bëhemi në mendime e veprime bashkë , bile në mars, në shenjë të lartësimit të kujtimit për komandantin legjendar Adem Jashari dhe për të gjithë ata që ujiten lirinë e Kosovës me gjakun e dëlirë.
Rrahman Jasharaj