Tërmet në Kosovë – epiqendra e tërmetit afër Istogut

Sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës kanë detektuar sot në ora 14:38 minuta, një tërmet me epiqendër gjashtë kilometra në juglindje të Istogut.

“Magnituda e tërmetit ishte M=5.2 shkallë të Rihterit, ndërsa intensiteti në epiqendër VII ballë, sipas MCS-64 thellësia 5.2 km”, thuhet në një njoftim të Zyrës për Sizmologji, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Energjisë dhe të Minierave.

“Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Istogut dhe tërë territori i Kosovës. Ende nuk dihet për dëme në njerëz dhe materiale”, përfundon komunikata e lëshuar nga Zyra për Sizmologji. /Express/

Istogu, epiqendra e tërmetit që u ndje në Kosovë dhe në rajon

Sot, rreth orës 14 e 40 minuta, në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën u ndje një dridhje e theksuar e tokës, e cila shqetësoi kryeqytetasit. Dridhja u ndje sidomos në ndërtesat e vjetra dhe në shumëkatëshe. Në disa shkolla të kryeqytetit dhe të rrethinës kanë ndërprerë mësimin. Ndërsa, sipas njoftimeve, edhe punëtorët e ministrive të vendosura në ish-ndërtesën e Pallatit të Shtypit janë larguar nga objekti.
Një orë pasi ndodhi tërmeti, me një komunikatë zyrtare Rjeti Zizmologjik i Kosovës ka njoftuar se sot, në orën 14:38 minuta, sipas kohë lokale, sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, detektuan tërmet me epiqendër 6 kilometra në juglindje të Istogut. Magnituda e tërmetit ishte M=5.2 shkallë të Rihterit, ndërsa intensiteti në epiqendër VII ballë sipas MCS-64 thellësia 5.2 km. Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Burimit dhe tërë territori i Kosovës. Sipas kësaj komunikate, ende nuk dihet për dëme eventuale në njerëz dhe materiale.
Entit sizmologjik i Beogradit, fillimisht, vetëm pak çaste pas tërmetit ka njoftuar se epiqendra e tërmetit ishte në rajonin e Zubin Potokut, 15 kilometra në veriperëndim të Mitrovicës. Fuqia e tërmetit që u ndje në qytetet e Kosovës dhe në rajon, në epiqendër ishte 5 shkallë Rihter, njoftuan mediet serbe. Edhe Enti Sizmologjik nga beogradi në ndërkohë ka njoftuar se epiqendra e tërmetit është në rajonin e Istogut.
Po në të njëjtën kohë, dridhja e tokës, siç ka njoftuar korrespondenti i Koha Ditore në Pejë, është ndje edhe në Dukagjin. Kjo lëkundje ka shkaktuar panik në mesin e dukagjinasve, ndërsa punëtorët e shumë institucioneve kanë lëshuar objektet.
Dridhjet disa sekondëshe kanë shkaktuar panik të madh tek qytetarët e Pejes, ndërkohë që procesi mësimor është ndërprerë pak çaste pas lëkundjeve të tokës. Drejtori i Arsimit, Ilir Kelmendi, ka thënë se tërmeti ka shkaktuar panik tek nxënësit dhe në marrëveshje me drejtorët e të gjitha shkollave menjëherë është vendosur që të ndërpritet mësimi. “Pas thirrjeve nga drejtorët e shkollave për panikun e shkaktuar
tek nxënësit ne kemi vendosur që të ndërpresim mësimin në turnin e pasdites”, ka thënë Kelmendi.
Gjatë kohës sa ka zgjatur tërmeti shumë qytetarë kanë lëshuar banesat e tyre nga frika. Për një kohë kanë qëndruar jashtë, duke u frikësuar për dridhje të reja.
Paniku nga kjo dridhje ka përfshirë edhe punonjësit komunalë, të cilët për një kohë kanë lëshuar objektet, duke qëndruar në hapësira të hapura.
Drejtori i Emergjencës, Avdyl Lajçi, ka thënë se tërmeti nuk ka shkaktuar dëme. “Deri në ora 16.20 minuta nuk kemi të lajmëruar asnjë dëm nga tërmeti i sotëm”, ka thënë ai.
Një pjesë e murit është qarë në shkollën fillore “ Ismet Rraci” në Klinë si dhe disa shtëpi në fshatin Gjurgjevik i Madh të Klinës. Ndërkohë raportohet se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ndihmë shëndetësore, kanë kërkuar 20 nxënës. Janë këto të dhënat e para për demet e shkaktuara në komunën e Klinës, si pasojë e dridhjes së tokës që ka ndodhur të merkurin rreth orës 14:40 min. Këto janë informatat zyrtare që ka dhënë kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, në ora 16:00. Ai thotë se ka marrë informata për qarje të disa shtëpive në fshatin Gjuergjevik i Madh të Klinës dhe objektit shkollor “ Ismet Rraci” në Klinë. Ekipet e Komunës kanë dalë në terren menjëherë. Dridhja që ka zgjatur pak sekonda ka sjellë panik të madhe të qytetarët e kësaj komune. Ndërkohë dr Ali Ahmetxhekaj,drejtor i QKMF-së “ Nënë Tereza” në Klinë, tregon se janë 20 nxënës të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në ketë qendër. Një prej tyre është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për thyrje të dorës, 2 të tjerë janë në mbikëqyrje shëndetësore, ndërsa të tjerët janë liruar në shtëpi. Dridhja e tokës ka bërë që shumë qytetarë menjëherë të dalin nga shtëpitë. Të gjithë nxënësit janë lëshuar nga shkolla ndërsa rrugët e qytetit janë plotë me njerëz të frikesuar. Fëmijë të vegjël
të cilët ishin në shkollë janë parë rrugëve duke qarë. Esat Rraci, drejtor i
Shërbimeve Publike, thotë se për momentin nuk ka pasoja, ndërsa autoritetet komunale
kanë dalë menjëherë në terren për të parë situatën. Dridhja e tokës që ka zgjatur
pak sekonda, ka futur një panik të madhe të qytetarët të cilët janë duke qëndruar në
ambient të hapur megjithë kushtet e vështira atmosferike që po përcillet me borë.
Lidhjet telefonike janë ndërprerë dhe kjo i bën të ndihen me shumë të stresuar
qytetarët. Ndërkohë janë hapur edhe informata se edhe një tjetër dridhje do të pasoj
gjë që i shqetëson edhe me shumë qytetarët.
Tërmeti i intensitetit të ulët është rëgjistruar të mërkurën
rreth orës 14:40 edhe në një pjesë të madhe të territorit të Komunës së Malishevës. “Brenda shtëpisë vërehej qartazi lëvizja e papritur e gjësendeve nga vendi i vet”, thotë Bajram Morina nga fshati Drenoc. Edhe banorë të tjerë të këtij fshati e konfirmojnë fenomenin shqetësues, ka njoftuar korrespondenti i Kohës Ditore. Disa nga banorët kishin ikur me të shpejtë jashta shtëpive. Aty thuhet se edhe drunjtë janë hetuar duke lëvizur me të madhe në kohën e tërmetit. Edhe Brahim Morina nga Lubizhda ka konfirmuar dridhjen. “Ndodhi ajo që ma kujtoi dikund fundin e viteve të shtatëdhjeta dhe duke kujtuar tërmetet aktuale nëpër botë druajtja ishte normale”, ka thënë ai. Një banor i Kijevës, fshat në jug-perëndim të Malishevës, ndërkaq ka folur për një dridhje më të fuqushme krahasuar me vendet tjera të komunës. “”Krejtë orenditë gati u rrëzuan”, ka thënë ai. Edhe qendrën komunale të Malishevës, e ka trandur tërmeti i papritur, sado që ka qenë i intensitetit të ulët. “Në katin e dytë të ndërtesës ku isha unë tavolina lëvizte bukur shumë”, ka bërë me dije një punëtor i administratës komunale të Malishevës ku një numër i madh të punësuarish kanë dalë jashtë me të hetuar dridhjet. Përveç panikut që ka përhapur nuk ka informacione për ndonjë dëm të cilëdo natyrë.
Sipas njoftimeve, edhe pse epiqendra e Termetit ka qenë në Istog, ku sipas njoftimeve të korespondentit të gazet të Koha Ditore, “është shënuar dridhje të fuqishme e Tokës”, në këtë rajon nuk ka pasur dëme materiale në objektet e banimit dhe as në njerëz. Megjithatë, shumë banorë të qytetit dhe të fshatrave për rreth nga frika , për një çast, kanë dalë jashtë ndërtesave të banimit dhe këtë ngjarje e kanë përjetuar keq. ” Dridhja ka qenë e fuqishme dhe nga frika kemi dalë jashtë me të gjit
hë punëtorët “ thotë Zeqir Mehmetaj nga Istogu
Edhë në Lipjan rreth 14 e 40 minuta është ndier dridhje e tokës që
ka shkaktuar njëherësh edhe shqetësim te qytetarët e këaj komune. Për shkak të dridhjes së tokës është ndërprerë mësimin menjëherë në shkolla të Lipjanit dhe në rrethinë për të larguar nxënësit nga shkollat dhe nga ndonjë rrezik i mundshëm me
këtë rast. Zyrtarë në Drejtorinë e Arsimit në Lipjanit kanë njoftuar se është ndërmarrë ky hap menjëherë pasi ka ndodhur dridhja e tokës, sepse sipas tyre, është parë shqetësim i madh te nxënësit dhe te mësimdhënësit. Deri në orët e pasditës nuk ka pasur njoftime zyrtare për ndonjë dëm eventual në këtë rajon.
Dridhja e tokës është ndier edhe nga qytetarët e Gjilanit me
rrethinë, por lëkundja nuk ka krijuar dëme. Lëkundja e tokës është ndier në katet e
larta të banesave. Nga qytetarët është thënë se dridhja është ndier rreth orës 14:39
minuta dhe ka zgjatur pak sekonda. Gjilani është i njohur si një nga zonat e
ndieshme sizmike. Në Gjilan një tërmet i fuqishëm ka ndodhur me 24 prill 2002, kur
pati humbur jetën një qytetar dhe qenë dëmtuar qindra shtëpi dhe përreth dy javë një
pjesë e banorëve kishte braktisur banesat e larta në objektet e banimit kolektiv.
Sipas informacioneve, tërmeti është ndje edhe në Shkup dhe në rajonet veriore të Maqedonisë./Koha Ditore/

Disa dëmtime objektesh në komunën e Isogut

Familja katër anëtarësh e Smail Miftarit nga Llugat e Saradranit, komuna e Istogut, si pasojë e dëmtimeve të mëdha të shtëpisë së tyre të vjetër nga dridhja e fuqishme e tokës gjatë së mërkurës, është detyruar të braktisë shtëpinë dhe të strehohet te i vëllai. “ Shtëpia ime ka qenë e vjetër. Tërmeti që ra ka shkaktuar plasaritje të shumta, ka dëmtuar pjesë-pjesë tavanin, ndërsa edhe kulmi është shembur”, ka deklaruar Smaili për Kohën Ditore.
Skënder Hasanxhekaj, shef i Sektorit për Mbrojte e Shpëtim, tha se banorë të Banjës, Veriqit dhe Cerkolezit kanë lajmëruar se dridhja e tokës u ka shkaktuar dëme, por kjo mbetet të vërtetohet të enjten, kur pritet që një ekip e posaçme të dalë në terren për ta incizuar gjendjen faktike. Banorë të Istogut thanë se kanë ndier edhe një dridhje tjetër të tokës rreth orësh 17:15 minuta, por ajo ka qenë e një intensiteti shumë më të ulët se sa e para./Koha Ditore/

Mitrovicë: Dëmtohen stacioni i policisë dhe dy shtëpi

Muret e stacionit të policisë në jug të Mitrovicës dhe dy shtëpi
në vendbanimin e minatorëve në Stantërg janë qarë si pasojë e tërmetit të sotëm që u ndie në mbarë Kosovën.
Komandanti i stacionit të policisë në jug të Mitrovicës, Bashkim Spahiu tha se si pasojë e dridhjes objekti që është shfrytëzuar si stacion policie në jug ka pësuar dëme të
dukshme. “Personeli është zhvendosur për shkaqe sigurie dhe është vendosur në disa kontejnerë”, ka deklaruar Spahiu. Sipas tij, për hapat e tjerë në lidhje me shfrytëzimin e këtij objekti do të vendoset pas vlerësimit që do ta japin ekspertët.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Ylber Durmishi ka deklaruar se në njërën shtëpi në Stantërg qarjet ishin më të dukshme, ndërsa banorët ishin
larguar prej saj. Sipas tij, për mundësinë e kthimit të banorëve në njërën nga shtëpitë, të cilën e kanë braktisur banorët, do të vendoset pasi në terren të dalë ekipi profesional për
të vlerësuar situatën. Durmishi shtoi se tash për tash nuk ka të dhëna për dëme tjera në këtë komunë. /Koha Ditore/