Parlamenti malazias, as pas një debati të ashpër disaditësh nuk arriti të sigurojë shumicën e duhur për të miratuar Propozimligjin e ri zgjedhor, dhe vendosi që atë t`ia dërgojë në ekspertizë Këshillit të Evropës dhe Komisionit venecian.
Sipas këtij versioni të propozuar të Grupit punues, partitë politike ose grupet e qytetarëve, të cilët në zgjedhje marrin pjesë si përfaqësues autentikë ose të pakicave nacionale, duhet të arrijnë cenzusin prej 3 për qind.
Nënkryetari dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu e sheh të rëndësishëm faktin se Ligji i ri për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve nuk ka mbështetjen e dy të tretave të ligjvenësve në Kuvend. Ai thotë se ky draft u heq mandatet e garantuara me kushtetutë pakicave.
Karshi tij, funksionari dhe deputeti i Lëvizjes për ndryshime, njera ndër partitë më të ashpra kundër socialistëve në pushtet, Branko Radulovic, nënvizon se asnjëra nga zgjedhjet e deritashme në Malin e Zi nuk kanë qenë të lira.
Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi vlerëson se zgjidhjet e propozuara në këtë Propozimligj janë diskriminuese për shqiptarët.
“Qëllimi është që shqiptarët të nxirren jashtë parlamentit”, nënvizon Bardhi. /Koha Ditore/