Hapet porta e themelimit të komunave të reja

I lumtë Petnicës dhe përkrahësve të saj, kurse ne le të presim, se me pritje së paku jemi mësuar, dhe pritja na bën nder, sepse na forcon dhe ngrit si përmendore stoike. Ne mbetemi si ishim pa zot dhe pa përkrahje, pa njerëz që dinë të lobojnë për interesa tona, të lumtë ne për zgjedhjen që bëmë.

Robert Camaj

Malësia nuk bën lajm, sepse nuk i thuhet e vërteta, kurse lajmi në rastin e Petnicës tingëllon kështu: “Këshilli për Çështje Kushtetuese dhe Legjislacion i Kuvendit të Malit të Zi miratoi amendamentet në Projektligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi të deputetit të Partisë Social Demokrate me të cilin kërkon që Petnica të fitojë statusin e komunës”.
Petnica me “haberrin” e saj na befason pozitivisht të gjithëve. Ky është lajmi i mirëpritur edhe për ne, sepse më në fund po u hapet porta themelimit të komunave të reja.
I lumtë Petnicës dhe përkrahësve të saj, kurse ne le të presim, se me pritje së paku jemi mësuar, dhe pritja na bën nder, sepse na forcon dhe ngrit si përmendore stoike. Ne mbetemi si ishim pa zot dhe pa përkrahje, pa njerëz që dinë të lobojnë për interesa tona, të lumtë ne për zgjedhjen që bëmë.
Po ku jemi ne, dhe si do të reagojmë, kjo u pa, e s’kemi çka të shohim më shumë.
Në këto momente duhet të ndihemi të gëzuar se një trevë plotësoi kushtet e shumëkërkuara, të cilat ne kurrë nuk i plotësuam dhe po fiton statusin e shumëdëshiruar të komunës që ne kurrë nuk e fituam.
Ne na mbetet që të jemi më bindës dhe të artikulojmë si duhet kërkesën tonë për komunë të plotë ose nëse nuk jemi të aftë ta bëjmë këtë, të shpallim bankroton tonë në këtë drejtim dhe t’u lejmë të tjerëve që të merren me këto punë e halle.
Mjaftoi kjo kohë e stërzgjatur që uzurpuam tapitë mbi kërkesat legjitime të këtij populli dhe të gjithë që qemë aktorë në një mënyrë apo tjetrën të ia dorëzojmë një gjenerate të painfektuar që të ketë shansin ajo t’i realizojë.
Siç u dëshmua më në fund komuna nuk jepet kur vlerësohen kapacitetet fiskale, aftësia për të siguruar shërbimet bazë komunale apo tërësia hapësinore dhe gjeografike e territorit të saj, por kur ka kush ta kërkojë.
Komuna arrihet kur ka bij nënash që të arsyetojnë atë për çfarë arsyetim nuk kërkohet, kur përfaqësuesi nuk është vasal kur vota që jepet, kontrollohet.
Ne as nuk arsyetuam, as nuk kontrolluam, as nuk siguruam miq dhe aleatë por thjesht muarem në qafë Malësinë tonë, e lumë ajo që na ka.
Malësisë duhet t’i thuhet e vërteta ne mbetëm pa komunë, dhe në zgjedhjet e ardhshme mos voto për apo kundër komunës se e ke kot, thjesht votoi ata për cilësitë tjera që ofrojnë. Mos u nxini me njëri tjetrin, as mos mendoni se do zgjidhni më të mirin, as më të drejtin, as më të mëshirshmin, as më të diturin. Mos u shikoni si mysliman e katolik, sepse ashtu i mbushni me energji, shikohuni si shqiptarë e bashkëqytetarë se ndoshta ashtu amortizohen.
Pyes çdonjërin që u rreshtua se a paramendonin kështu përfaqësimin e vet, se kur na thanë të presim a ishte kjo ajo çka pritëm, se kur kaluan mbi shumë të bëma e të thëna të tyre a ua dhanë shansin për këtë përmirësim që bënë. Nëse përgjigja do të ishte afirmative, atëherë le të rrojnë sa malet tona graniti, se jo veç i zgjodhëm por edhe i merituam. Por nëse ne si popull merituam kështu, kjo trevë ishte dashtë me meritua diçka krejt tjetër. /Koha Javore/

KOMENTOJE