Një shqiptare për herë të parë në krye të Gjykatës themelore të Ulqinit

Për herë të parë në historinë e Gjykatës themelore të Ulqinit, kryetare e saj zgjidhet një shqiptare.
Gjykatësja ulqinake, Lirie Buzuku e mori këtë post një ditë më parë me vendimin e Këshillit Gjyqësor Shtetëror të Malit të Zi.
Anëtari i këtij këshilli, kryetari i Këshillit Komunal të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Djukanoviqit në pushtet, Luigj Shkreli, deputet i kësaj partie në parlamentin malazias, deklaroi të shtunën për KosovaLive se Buzuku në të gjitha fazat e konkurimit për këtë post, është dëshmuar si profesioniste shumë cilësore.
“Zaten, kjo ka qenë vendimtare që këshilli pa asnjë hamendje, në një konkurrencë të theksuar, është përcaktuar për zonjën Lirie”, tha ai.
I pyetur nëse me këtë emërim përmbushen kërkesat e kamotshme të partive parlamentare shqiptare për një përfaqësim të duhur dhe proporcional të shqiptarëve në organet gjyqësore në Mal të Zi, Shkreli thotë se ky është një hap pozitiv, i cili hap rrugë për emrime të reja.
Nga ana tjetër, ai konsideron se edhe partitë politike shqiptare duhet të inkurajojnë të rinjtë tanë që kanë përgatitjet e duhura arsimore, që të konkurrojnë për organet gjyqësore në të gjitha nivelet në Malin e Zi.
Sipas tij, në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi ka juristë shumë të aftë dhe është e pashpjegueshme pse ata hezitojnë të paraqiten në konkurset e institucioneve të jurisprudencës malazeze. /Koha Javore/

KOMENTOJE