Të gjithë kemi nevojë për të gjithë, konferenca e Bërdos bëhet proces

Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor e vlerësoi konferencën e sotme mbi Ballkanin Perëndimor në Bërdo si një takim të suksesshëm pasi, sipas fjalëve të tij, “rreth një tryeze janë ulur liderët e shteteve që ende nuk njihen”. Ai veçmas falënderoi kryesuesin e Këshilli ministror të BeH-së, Nikolla Shpiriq, i cili është serb, “dhe i cili mbase ka qenë nën presion për të mos ardhur në konferencë, por megjithatë i ka dhënë përparësi dialogut e jo vërejtjeve” nacionaliste.

Konferenca në Bërdo nuk është vetëm e sotme, por quhet procesi Bërdo, tha Pahor para gazetarëve, dhe kjo për t’iu hapur dyert edhe atyre që nuk kanë marrë pjesë sot. Konferencat e ardhshme do të zhvillohen në nivel të ministrave, kurse njëra ndër to dhe e para do të jetë konferenca për trafikun dhe infrastrukturën, pasi është konstatuar se në këtë pjesë të Evropës nuk është duke u zhvilluar asnjë projekt i përbashkët infrastrukturor dhe kjo për shkak të problemeve që shtetet e rajonit i kanë ndërmjet tyre.

Takimi i sotëm ishte shumë i hapur, tha Pahor. “Të gjithë kemi nevojë për të gjithë” (»everybody needs everybody«), e pastaj vijmë edhe te ajo se “Të gjithë duhet ta pranojnë njëri-tjetrin” (»everybody need to recognize everybody«), tha Pahor, duke shtuar se ky nuk është presion në shtetet që të njohin shtetet që deri tash nuk i kanë njohur, por që konferenca e tillë është një mënyrë e dialogut që ndoshta të zgjidhen edhe problemet fundamentale.

Sa i përket problemit ndërmjet Kosovës e Serbisë, Pahor tha se as BE nuk ka qëndrim të përbashkët, pasi disa shtete ende nuk e kanë njohur Kosovën. “Kemi të bëjmë punë edhe me Evropën, e cila po i nënçmon shanset e rajonit”. Në njërën anë ky është një rajon përplot probleme, por në anën tjetër edhe përplot shanse. Si paralajmëroi Pahor, ai do t’iu bëjë me dije bashkëbiseduesve evropianë këto shanse.

Në Bërdo u miratua edhe deklarata e përbashkët, e cila forcon obligimin e përbashkët për përfshirje në BE, fton BE-në që të nxisë mekanizmat e bashkëpunimit rajonal, thekson nevojën për vazhdim të mëtejshëm të procesit të liberalizimit të vizave në mbarë rajonin, sërish thekson obligimin për nxitjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore e me këtë edhe për takime të ardhshme të rregullta në kuadër të procesit Bërdo.

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, në fillim të konferencës të gjitha shteteve pjesëmarrëse u dha përkthimet e dokumenteve juridike evropiane që Kroacia i ka krjuar gjatë bisedimeve të stabilizm-asociimit dhe kandidimit për anëtarësim në BE.

Sipas shënimeve të zyrës për komunikim të qeverisë sllovene, për përcjelljen e konferencës, me gjithë heqjet dorë, janë akredituar 259 përfaqësues të medieve, nga këta 141 të huaj dhe 118 nga Sllovenia. /NOA/