Artistët janë duke kaluar një gjendje të mjerueshme. Nuk ka asnjë rregull dhe askush nuk përkujdeset për ata. Klane të shumta kanë bërë rivalitet të madh mes shumë këngëtarëve, pasi xhelozia dhe jo angazhimi i tyre sa duhet nëpër koncerte ka bërë që ata të mos kontaktojnë mes njëri-tjetrit. Edhe ata pak këngëtarë që ruajnë miqësinë mes tyre, nuk e tregojnë hapur nga frika se mos prishin raportet me ndonjë koleg tjetër. Shoqatën të cilën e krijuan disa muaj më parë, nuk e përfill askush. Kur i pyesim për gjendjen e tyre, të gjithë ankohen. “Më shumë punë kanë këngëtarët e muzikës tallava dhe ato popullore se sa ne të muzikës zbavitëse” na thonë. Publiku në diasporë nuk dëshiron më të shikojë fytyra të njëjta prej shumë vitesh tashmë. Pastaj, nuk dëshirojnë të paguajnë bileta të shtrenjta për koncerte “play back”. Të bëjmë një llogari të thjeshtë, për të organizuar një koncert të nivelit të lartë “live”, patjetër që duhen financa të shumta. Që nga pagesa e këngëtarit, zëri, ndriçimi, orkestra, vendi i organizimit e deri tek akomodimi i tyre.
Nëse vendoset që këngëtarët të performojnë më shumë se një këngë, çmimi i tyre automatikisht rritet. Ndërsa nëse bëhet fjalë për një mbrëmje nga ora 21.00 e deri në orët e hershme të mëngjesit, atëherë pagesat e tyre janë ekstrem të larta! Shumica nga këngëtaret kanë kushte dhe kritere të veçanta sa u përket paraqitjeve nëpër koncerte. Këngëtarët e rangut të lartë si kriter bazë kanë vendin e paraqitjes. Salla në të cilën duhet të organizohet koncerti duhet të ketë kapacitet jo më pak se 1.000 persona e më tepër. Përveç këngëtarëve të muzikës popullore dhe atyre tallava, këngëtarët e tjerë të muzikës së lehtë nuk kanë angazhime në koncerte. Disa prej tyre për shkak të recesionit dhe krizës financiare këndojnë nëpër kafene me kapacitet as për 100 persona .
ZANFINA ISMAILI, ngadalë por e sigurtë
Ngadalë por e sigurtë, kështu është duke ecur Zanfina Ismaili. Dikur nën hijen e motrës kurse tani po ia kalon edhe asaj për sa i përket angazhimeve nëpër koncerte. Është shumë e kërkuar nëpër koncerte në Kosovë dhe diasporë. Hiti i saj i fundit “Le të vdes në buzët tua” ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke ia shtuar punën këngëtares. Edhe pse kohë krize, Zanfina në Kosovë mbush sallat ku paraqitet, ndërkohë burime tona tregojnë se nëpër të gjitha vendet ku performon kjo këngëtare nuk ka më pak se 1.500 deri në 2.000 persona dhe mos të flasim për diasporën, ku në koncertin e fundit gjatë festave të fundvitit në natën e tretë, ajo grumbulloi afër 4.500 persona me një çmim hyrje prej 45 franga zvicerane.
ERMAL FEJZULLAHUT DHE NORA ISTREFIT, iU “ZVOGËLOHET” PORTOFOLI
Para dy viteve ishin këngëtarët më të angazhuar, kurse kohëve të fundit nuk u dëgjohet zëri për ndonjë angazhim të radhës. Ndërkohë që Nora Istrefi është e pranishme nëpër media për shkak të lidhjes së saj me Robert Berishën, në anën tjetër Ermal Fejzullahu që kur është martuar, nuk paraqitet shumë nëpër media. Burime tona tregojnë se angazhimet për të dy këngëtarët janë zvogëluar dukshëm prej kur në skenë janë rikthyer disa këngëtare të tjera, menaxhimin e të cilave e ka marrë në dorë i njëjti menaxher që një kohë menaxhonte koncertet e Ermalit dhe Norës.
GJYSTE VULAJ pa pretendime pagese
Një ndër këngëtaret që nuk pushon së kënduari nëpër evenimente të ndryshme, më shumë në diasporë është Gjyste Vulaj. Flitet se çmimi i paraqitjes së Gjystes nëpër koncerte është i ulët dhe organizatorët kanë më shumë përfitime në këtë rast kurse në anën tjetër ka më shumë punë dhe për këngëtaren. Ajo paraqitet gjithmonë “live” me këngët e saj, kështu që publiku është shumë i kënaqur me këto performanca përkundër kolegeve të saja të cilat në disa raste janë gjuajtur edhe me kanaçe, për shkak të paraqitjes “play back”. Nuk ka vend që nuk është paraqitur deri më tani Gjystja. Ndryshe nuk do të kishte bërë gjithë atë hotel në vendlindjen e saj si dhe në Gjermani, menaxhimin e të cilëve e bën së bashku me bashkëshortin Sokolin.
RONA NISHLIU DHE TEUTA KURTI, “LIVE” NËPËR KLUBE NATE në Prishtinë
Rona dhe Teuta janë dy nga këngëtaret me vokalin më karakteristik në Kosovë. Pëlqehen jashtëzakonisht shumë nga publiku, por asnjëherë nuk kanë performuar nëpër koncerte jashtë vendit siç paraqiten disa kolege të tyre, me të vetmin justifikim se nuk duan të bëhen komerciale. Rona dhe Teuta gati çdo fundjavë paraqiten nëpër evenimente “live” të organizuara në disa klube nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Që të dyja janë “kritikuar” gjithmonë nga shoqëria që të bëjnë paraqitje edhe nëpër koncerte të ndryshme me qëllim të përfitimit, por deri më tani insistimi i shoqërisë ka qenë i kotë. Çfarë do të kishte ndodhur sikur ato të udhëtonin në diasporë në ndonjë koncert dhe atje organizatorët të thonë se ka mungesë mikrofoni për të kënduar, siç ndodh në shumë raste të tjera, përderisa Teuta dhe Rona e performojnë gjithmonë “live” repertorin e tyre!
ADRIAN GAXHA DHE BERTAN ASLLANI, KËNDOJNË NËPËR KAFENE
Dy ndër këngëtarët më të pëlqyer për momentin nga publiku shqiptar në Maqedoni, Adrian Gaxha dhe Bertan Asllani kohëve të fundit për shkak të mungesës së ofertave për paraqitje nëpër koncerte, kanë vendosur të performojnë nëpër kafene, në qytetin e Tetovës. Ndoshta dy këngëtarët i ka kapluar recesioni dhe kriza financiare, kështu që u duhet të paraqiten nëpër këto lloj lokalesh për të mbuluar shpenzimet elementare… Një vend me kapacitet as për 100 persona dhe me çmim bilete prej 5 euro! Lind pyetja, sa fitim ka pasur pronari i lokalit dhe për çfarë honorari janë paraqitur Bertani dhe Adriani?
JEHONA SOPI LARGOHET NGA KONCERTET
Zëri i saj melankolik e ka bërë shumë të dashur për publikun, por këngëtarja nuk i dhuron atij aq sa duhet. Deri më tani nuk ka publikuar asnjë këngë të re ndërsa flitet se ka dhënë “dorëheqje” edhe prej koncerteve. Përfundimi i studimeve dhe puna në bankë, e kanë penguar këngëtaren në realizimin e planeve në sferën muzikore, ndërsa këngët e realizuara para disa viteve janë të vjetra për paraqitje nëpër koncerte. Jehona Sopi e fut veten në listën e këngëtarëve që pagesa kalon në shifra të larta dhe për këtë arsye kohët e fundit, ajo është tërhequr nga këto organizime, duke u lënë hapësirë kolegeve të saj. /PanoramaPlus/