Përsëri Seanca e Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit përfundon pa aprovim të planit financiar

Sot u mbajt mbledhja e kuvendit ( XXIII me radhë) e Kuvendit të KU të Tuzit, në të cilën këshilltarët debatuan lidhur me propozimvendimin mbi planin financiar të KU të Tuzit për vitin 2010. Ajo që duhet theksuar është se i njëjti dokument u shqyrtua edhe para më tepër se një muaji, por Kuvendi pati miratuar një inisiativë me të cilën kërkoi nga administrata e Kryeqytetit të dhëna shtes mbi realizimin e investimeve kapitale në këtë teritor. Mirëpo as pas përgjigjeve të fituara nga administratori kryesor i Podgoricës, nuk pati ndonjë ndryshim esencial në këtë dokument dhe siç theksoi edhe kryetari i KU Smail Çunmulaj, nuk ka ndonjë arsye për miratimin e këtoij dokumenti përveç që Podgorica të mos e akuzoj pushtetin vendor në KU për pengimin e realizimit të atyre investimeve të parapara, andaj ai i ftoi këshilltarët që ta përkrahin planin për këtë arsye.

Ai në veçanti theksoi mungesën e investimeve që figuronin në planet e mëparshme financiare, siç janë drejtimi rrugor Dinoshë-Triesh, ujësjellësi për pjesën jugore të Malësisë, varrezat e qytetit e tjera.

Pasoi pastaj debat mjaft i gjallë lidhur me me këtë çështje, duke u shprehur të pakënaqur me mënyrën e planifikimit të investimeve kapitale nga administrata e Kryeqytetit.Më në fund nga këshilltarët e IQ propozuan ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin e saj më 31 mars, që u miratua nga kryesuesi i kësaj seance.

Të rikujtojmë se as në seancën e sotme nuk ishin prezent asnjë këshilltarë nga radhët e partive opozitare. /Albert Camaj/

Fjalë lidhur me Propozim-vendimin e planit financiar të KU të Tuzit për vitin 2010 në mbledhjen e Kuvendit të KU të Tuzit, mbajtur më 24 mars 2010 – Agron Berishaj, këshilltar i LD në MZ në Kuvendin e KU të Tuzit

Statusi juridik i trevës së Malesisë është komunë urbane si pjesë e Kryeqytetit, prodhim i Ligjit mbi Kryeqytetin, të cilin e aprovoi Kuvendi i Republikës së Malit të Zi në mbledhjen e dytë të rregullt të mbajtur me 27 tetor të vitit 2005.
Qytetarët e trevës se Malësisë ishin të mendimit se statusi i tillë nuk i kënaq nevojat e kësaj treve dhe lidhur me të u shprehen edhe në diskutime publike.
Megjithatë, qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Malit të Zi e nxjerrën ligjin te cilin e kemi të gjithë të njohur. Pra, sipas Ligjit mbi Kryeqytetin, komuna urbane nuk ka buxhet të vetin, por planin financiar ,si pjesë e Buxhetit të Kryeqytetit.
Pakënaqësinë për heqjen, apo mosfigurimin e disa investimeve të planifikuara me planet financiare të viteve 2008 dhe 2009, e të parealizuara, e shpreh edhe unë si Këshilltar i këtij Kuvendi, e sidomos kur është fjala për ujësjellësin në pjesën jugore të trevës së Komunës urbane të Tuzit, si dhe mosfigurimi i rrugëve në zonën malore: Dinoshë-Pikalë-Triepsh si dhe Fundna-Kojë.
Për Planin financiar për vitin 2010 gjatë diskutimeve publike u tentua që të ndryshohen disa planikifime,sidomos në zonën malore e që në këtë vit është lënë krejtësisht pas dore.
Gjithashtu, gojarisht u kërkua që të ndriçohet rruga nga Tuzi në drejtim të Podgoricës, mirëpo jemi dëshmitarë se jo vetëm se nuk po ndriçohet , por pranë kësaj rruge ndërkombëtare po i hedhin mbeturinat që nga Shipshaniku e deri tek varrezat në afërsi të lumit Cem.
Sa u takon investimeve të parapara me Plan financiar, pa marrë parasysh statusin, duhet angazhim i madh për tu përmirësuar gjendja e infrastrukturës në trevën e Komunës urbane te Tuzit.

Meqënse jemi në fund të mandatit të kësaj përbërje, dua ta jap një shembull që ndodhi pas Kuvendit të Podgoricës të mbajtur në vitin 1918.
Pra, në mesin e shtatorit të vitit 1919 shumë familje nga Malësia,për shkak të mospajtimit me vendimin e këtij Kuvendi u detyruan ti braktisin shtëpitë e veta.
Familja e Marash Zefit Berishaj nga fshati Gurrec,para se u largua nga shtëpia e vetë, e shtroi sofrën me ushqim dhe me pije.
Vëllazëria e tij, e çuditur, e pyetën se çfarë është kjo punë – shtëpinë po e lëshon, e sofrën e shtruar po e lënë. Marashi u përgjigj: ”Ne po largohemi dhe po shkojmë. Ushtria do të vijë e do të hyjë brenda në shtëpi. Në qoftë se janë miq, me siguri ushtarët janë të uritur dhe kanë me ngrënë. Por në rast se nuk janë miq, ata nuk kanë me ngrënë, por së paku do të shohin se në këtë shtëpi kanë jetuar njerëzit”.
Si përfundim, pa marrë parasysh vendimin që do të marrim si Kuvend, dëshiroj ta shpreh qëndrimin tim personal që mund ta lidh me rastin e përshkruar, se jemi të obligueshëm të veprojmë sinqertë e mbarë, duke i respektuar interesat e mbarë popullatës së trevës së Malësisë. Ta lëmë mbarë vendin ku jemi, pa marrë parasysh a do të kthehemi ne, apo dikush tjetër.

KOMENTOJE