Ramush Haradinaj bën bashkë krerët e partive shqiptare të Malit të Zi

Pejë, 24 mars-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë bashkë përfaqësuesit e 6 partive politike shqiptare të Malit të Zi, në një takim pune, të martën mbrëma, në Pejë. Bashkë me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nga kryesia qendrore dhe me kryetarin e Pejës, Ali Berisha, që është i të njëjtit subjekt politik, Haradinaj, u ka thënë mysafirëve të tij se takimi në mbrëmje kishte për qëllim avancimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi. “Dëshirojë që të krijojmë raporte sa më të mira ndërshtetërore”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se ky nuk është vetëm vullnet i subjektit të tij politik, por i gjithë spektrit dhe i institucioneve të tij. Lideri Haradinaj për më shumë mysafirëve të tij u ka sqaruar se takimin e kishte menduar si takim vëllazëror midis shqiptarëve të të dyja shteteve e jo si takim partishë.
Ai ka kërkuar nga kryetarët e 6 partive, prezentë në këtë takim dhe nga 3 prej 4 deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi që të shkëmbejnë edhe përvojat, por njëkohësisht të identifikojnë të arriturat e shqiptarëve atje dhe problemet metë cilat ballafaqohen.
Ferat Dinosha, ministër për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Kuvendin e Republikës së Malit të Zi ka treguar se shqiptarët atje janë duke jetuar në një realitet të ri, të favorshëm për ta. Ai ka lavdëruar qeverinë e udhëhequr nga Milo Gjukanoviqi për trajtimin e shqiptarëve në këtë shtet, por edhe për sjelljen e tij, si tha ai, të përgjegjshme ndaj krizës së para 11 viteve në Kosovë.
“Mirëpo, nga të gjitha këto veprime duhet veçuar aktin e pranimit të pavarësisë së Kosovës, ideator i të cilës ishte vetë Gjukanoviuqi”, ka thënë Dinosha. Në këtë mes, ai ka përmendur edhe çështjen tashmë shumë të përfolur për pakicën malaziase në Kosovë. “Institucionet e Kosovës duhet që të njohin realitetin e pakicës malazeze në Kosovë, ka thënë Dinosha, duke shtuar se nuk ishte faji te institucionet e RP-së se malazezët nuk u bënë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. “Malazezët ishin të regjistruar si serbë dhe kjo ishte nisma e problemit të mospërfshirjes së tyre në katin kryesor të shtetit”, ka thënë Dinosha. Ai ka shtuar se është në interesin e Kosovës që të njohë pakicën malazeze, pasi që, siç tha ai, shumica prej malazezëve që jetojnë në Kosovë njohin pavarësinë e saj. “Ky fakt është në interes të vetë Kosovës”, ka thënë Dinosha. Ministri Dinosha ka paralajmëruar ngritjen e raporteve shumë shpejt në nivel ambasadorësh midis dy vendeve.
Kryetari Haradinaj është pajtuar me konstatimin e ministrit Dinosha. Ka shtuar se pikërisht për këtë takimi i së martës ishte takim për bashkërenditje veprimesh për raporte sa më të mira me shtetin fqinj, Malin e Zi.
Ndërkaq, Nazif Cungu, kryetar i Forcës së Re Demokratike të shqiptarëve të Malit të Zi ka lavdëruar Haradinajn për inisiativën për të bërë bashkë shqiptarët e shpërndarë në 6 subjekte politike në Mal të Zi. “Ju jeni lideri i parë shqiptar që merrni këtë iniciativë. Ne në Mal të Zi jemi pak, por probleme kemi shumë”, është shprehur Cungu.
Takimi i së martës midis Haradinaj dhe kryetarëve të partive politike të shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputetëve shqiptarë në Parlamentin e këtij shteti ka vazhduar më pas me një bashkëbisedim midis miqsh. /Koha Ditore/

KOMENTOJE