Më 28 e 30 prill gjykimi për vrasjen e 21 shqiptarëve në Rozhajë

Podgoricë, 25 mars – Gjykata e Lartë në Bijello Pole paralajmëron se seanca kryesore lidhur me krimin në Malësinë e Rozhajës, kur forcat paramilitare të ushtrisë serbomalazeze, në pranverën e vitit 1999, kanë likuiduar 21 shqiptarë civilë të Kosovës, do të mbahet më 28 dhe 30 prill të këtij viti.

Ish-ndimësministri i asaj kohe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Vuk Boshkoviq, tash këshilltar i presidentit malazias, në cilësinë e dëshmitarit, sipas KosovaLive, ka thënë në Gjykatën e Lartë në Bijello Pole se ka qenë i informuar me krimin në Bukelin e Epërm në Malësinë e Rozhajës, por Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi nuk ka pasur asnjë lidhje me atë ngjarje.

“Në njerën nga udhëkryqet e Bukelit të Epërm atëbotë kam takuar gjenralin e armatës së RFJ-së, Jagosh Stevanoviq me bashkëpunëtorë, i cili atëherë, sa më kujtohet, ka qenë kryeshef i Shtabit të Armatës së Dytë. Nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, sepse e pat bllokuar ushtria. Gjenerali më ka pas thënë se organet e ushtrisë po bëjnë ekzaminimin edhe derisa ta përfundojnë ata këtë punë nuk ka qasje atje. Kjo do të thotë se nuk mund të deklarohem se çfarë ka ndodhur në atë vend”, deklaroi Boskovic në Gjykatën e Lartë në Bijello Pole.

Sipas tij, kjo ka qenë zonë e kontrolluar nga ushtria e RFJ-së edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi nuk ka pasur asnjë tretman të posaçëm rreth qasjes dhe hetimit në vendin e ngjarjes. Boskovic shton se nuk ka pasur asnjë informacion se në atë lokalitet të Rozhajës kanë qendruar pjesëtarë të UÇK-së, por refugjatë nga Kosova.

Seanca kryesore në Gjykatën e Lartë në Bijello Pole për krimin në Bukelin e Epërm të Rozhajës në pranverën e vitit 1999, paralajmërohet se do të mbahet më 28 dhe 30 prill të këtij viti, kur do të dëgjohen edhe dëshmitarët, autoritetet më të larta të Komunës së Rozhajës. /Koha Ditore/

KOMENTOJE