Nisën historinë e shtetit – Robert Camaj

Kryengritja e Malësisë së Madhe e viti 1911, është rradhitja jonë me kombet e tjera që ka Europa, vendosja e përkrenares së Skenderbeut edhe një herë, dhe ngritja e shpatës së tij për të rifortifikuar fortesat e kështjellat e rrënuara dhe bërja e Shqipërisë shtet, kur misioni i tyre u shpall i përfunduar.

Robert Camaj

Fund marsi i vitit të Zotit 1911 është gjithsesi periudha më e pastër dhe vezulluese që kujton Malësia për të kaluarën e saj. Ditën e premte me 24 mars të atij viti Kryekomadanti i Lekëve të Hotit, Ded Gjo Luli me amazonën e Grudës Tringë Smaijlen dhe disa të tjerë i vunë pushkën Turqisë.
Kjo qe data kur zuri fill historia e shtetit shqiptar.
Në një vizitë të shkurtër para një muaji në shtëpinë e pavarësisë në Vlorë, ndër 15 apo 20 fotografi të kolosëve të kombit, dy ndër to i përkisnin Dedë Gjo Lulit dhe Tring Smailes.
Ishin të rreshtuar aty pranë Ismail Qemalit, vëllezërve Frashëri, Luigj Gurakuqit, Mehmet Pashë Derrdallës, pra Deda e Tringa kishin nxënë vende pranë burrave e grave tjera që kishin formuar shtetin shqiptar. Ishte bukur me pa Tringën me Shotë Galicën, Dedën me Çërçiz Topullin.
Aty në atë shtëpi të vogël ku ruhej kujtesa e shtetësisë së Kombit, pranë asaj sofre të vogël, ishin ulur edhe një titan Traboinas dhe një zanë nga Kërsheva jonë.
Po ajo shtëpi e vogël dhe e gushtë pranë Detit Jon, kishte gjetur vend për të gjithë që ju flijuan Shqipërisë, pra ndër të tjerë e nuk ishin shumë të tjerë, edhe për Hotjanin dhe Grudjanen tonë.
Froni i kombit kishte ulur njerëzit e vet më të shenjtë dhe i ruante ata, po Malësia ku i ka ulur, a u ka bërë vend, a ua din varrin, shtëpinë, votrën, oxhakun, a ua vlerëson flijimin dhe gjakun? Unë them se jo.
Me 24 mars, para 99 vitesh ju vu emri Shqipërisë, dhe ai iu skalit nëpër këta shkëmbinj që nuk tretën, që po harrohen por nuk tretën. Me besim në zotin e të drejtën që ka kombi të jetë i lirë, malësoret por jo vetëm malësorët ju futën një pune jo të lehtë me i dalë në krye, ia drejtuan pushkën, (sepse asokohe me pushkë fitohej liria), një fuqie të madhe me zemër luanit.
Kështu e kanë të gjitha kombet me piemontet e tyre, e ky obligim ishte fati ynë, për më të dashurën e më të bukurën nënën tonë Shqipëri. Por nuk na sakrifikoi ne Shqipëria, por kjo gjë pjekën në vetëdijen e malësorëve se janë të krijuar për diçka më të madhe.
Por e kaluara u bë si u bë, Deda e Tringa luftuan e u ndihmuan si vëlla e motër, ia fashitën plagët njëri tjetrit, u këshilluan dhe u përkrahën, nuk ia zunë rrugën njëri tjetrit as nuk i dualën në pritë, thjesht kishin një mision të madh për të kryer bashkë. Tringa e Deda, nuk e kishin hallin vetëm te Malësia, por idetë e tyre përshkonin çdo pëllëmbë ku sot jetojnë shqiptaret në trevat e tyre.
Prandaj, edhe kombi nuk i kishte ulur aty ku i kishte ulur, si Malësorë, por si ndër të parët shqiptarë, dhe patriot e kombëtarë. Ata qenë të parët që e kuptuan se kishte lindë kombi e ai komb duhej të mbrohej, të bëhej me emër, të rritej, e të futet ndër kombe tjera i ditur dhe i ngritur. Bashkë me të tjerët Deda e Tringa, deshën që kombi të ketë shkolla ku do të shkruhej alfabeti i Manastirit, që kombi të ketë një administratë e cila do shtrihej në kufijtë që i përcaktonte Lidhja e Prizrenit, të ketë të paktën një simbol të përbashkët të të gjitha fiseve të kombit, e atë ia fali Malësia që u bë shtiza e parë e flamurit kombëtar.
Pra Tringa e Deda e kishin kuptuar rendësinë e flijimit të vetë, dhe këtë që ata e kishin kuptuar e përçonin në çdo kullë e në çdo stan të Malësisë, sa që e bashkuan këtë kështjellë natyrore dhe e fortifikuan atë. Nuk luftuan gjysmëhënën për t’i bërë vend kryqit, por luftuan zgjedhën për t’i bërë vend vetes, me gjuhë, kulturë, shqiponjë, alfabet. Ishin po i njëjti gjak dhe gjën që 500 vite më parë kishte luftuar Venedikun, Balshajt e çdokë që u cenonte lirinë, sepse parim kishin – zot në tokën e vet. Ata ia dhanë besën (më të shtrenjtin thesar që i kishte mbetur kësaj toke të stërgrabitur), rilindësve të ditur se ata do pushojnë kur kështjella të ketë mbaruar, se do të ulen kur kombi do të jetë ngritur, se do t’i kthehen dheut kur Shqipëria të jetë në djepin e artë.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e viti 1911, është rradhitja jonë me kombet e tjera që ka Europa, vendosja e përkrenares së Skenderbeut edhe një herë, dhe ngritja e shpatës së tij për të rifortifikuar fortesat e kështjellat e rrënuara dhe bërja e Shqipërisë shtet, kur misioni i tyre u shpall i përfunduar. Shkëndija u bë flakë dhe zjarri kaploi çdo skaj të kombit, emri i tyre u bë legjendë, dhe siç i ka hije një legjendë tek ne ajo u ruajt përmes këngës së lahutës, për t’u kujtuar e mos t’u harruar më kurrë. Nëse nuk u kemi gjë borxh Dedës e Tringës, këtyre prindërve të flamurit, atëherë ne bijtë e tyre duhet të ndihemi të çborxhuar, dhe të kthejmë kokën kah na çon situata, por nëse nuk u kemi larë taksat bëjmë mirë që ta bëjmë atë, përndryshe nuk harrojmë ata por vetën tonë. Ashtu si Jasoni e Medeja të eposit grek që i vjedhin “postejen e artë” kulshedrës, ashtu edhe Deda e Tringa e marrin prej kthetrave të harresës flamurin dhe e vendosin në ballë të kombit. E enjtja e madhe e 6 prillit 1911, do të shndërrohet në datën më sublime që kombi kishte kaluar deri atëherë. Në atë ditë, perënditë kishin kthjellur më se mirit mendjen dhe forcuar zemrat shqiptare dhe i kishin bërë një, për të ardhmen e kombit tonë./Koha Javore/

KOMENTOJE