Uniteti Juaj është forcë e madhe për ne drejt angazhimeve në shërbim të kombit
“Mbaju nënë mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”, ishte një moto e thënë e e kënduar në momentet më të vështira të kombit shqiptar. U tha e u këndua kjo edhe në vitet e robëruara e të vrara të Kosovës dhe njerëzit ndjeheshin të fortë karshi dhunës, torturave e skenarëve kobzeza të pushtuesit serb. Ju vëllezër shqiptarë në SHBA ishit shpresë jona dhe punët e angazhimet Tuaja për kombin e atdheun janë për çdo admirim. Sot kur festohet denjësisht e bashkërisht në Kosovë festa e Pashkëve po ua dërgoj këtë letër dhe lutje publike dhe , jo vetëm në emrin tim, por në emër të shumë e shumë anëtarëve të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Po lexojmë e po dëgjojmë për do rrjedha të dhembshme mes Jush. Po na thonë se kurrë më shumë përplasje e përçarje mes shqiptarësh nuk ka pasur në Amerikë se tani. Ne jemi larg dhe po urojmë e po lutemi që këto të jenë vetëm fjalë e e vërteta të jetë ajo që e duam ne të gjithë. Po lutemi që ndonjë zënkë a deklaratë e thënë pa kujdes e në eufori mos të jetë temë nga e cila nuk duam e nuk dëshirojmë të dalim. Vëllezër edhe në Kosovë e Shqipëri dikujt, aty e këtu, i lodhet mendja e del mllefi pa e kontrolluar dhe e thotë a e shkruan ndonjë fjali të keqe ndaj këtij a atij besimi, por këtyre përpjekjeve u vëmë kapak me shembuj e shkrime të mira. Një mijë e një arsye shqiptarët i kanë të jenë të bashkuar e në angazhime sublime për ta unifikuar e ruajtur kombin. Vëllezër të nderuar në SHBA, edhe unë dhe anëtarët e Shoqatës “Marin Dreshaj” jemi shqiptarë dhe i takojmë njërit prej besimeve, por na gjeni përditë bashkë në angazhime. Ne mbajmë gjithë festat e besimit tonë, por jemi pjesë edhe e gëzimeve dhe festave të vëllezërve tonë të besimeve tjera. Kjo nuk na pengoi kurrë, po na bëri më të fortë dhe më të devotshëm ndaj Zotit, që është një dhe i të gjithëve. Jemi të bashkuar rreth idealeve të njëjta dhe mundohemi të gjendemi në shërbim të kombit sepse ai ende është i rrezikuar dhe i ndarë pa fajin e tij. Shqiptari i vërtetë nuk ka pse mburret me festat e pavarësisë e të ndonjë lire të pjesshme në kohën kur vëllezërit tonë në Malësinë e Madhe e në Kosovën Lindore nuk i ngroh ky diell i lirisë. Ata jetojnë në strese e ankth duke parë se po u mohohen edhe të drejtat më elementare nga Podgorica e Beogradi. Ata ndjehen edhe më keq dhe më të pashpresë kur dëgjojnë e lexojnë se Ju atje në Amerikë keni nisur të ndaheni e përçaheni. Kur Ju shohin të ndarë e larg njëri-tjetrit, atëherë thënia “Mbahu Malësi e mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”, e humb forcën dhe kthehet në thënie qesharake. Ju vëllezër atje të bashkuar e pse jo, edhe ne në Kosovë e kudo jemi shpresa për Malësinë. Bashkimi e uniteti ynë dhe fjala shpresëdhënëse jona është forca dhe jetë për malësorët. Mos të përçahemi sepse kështu do ua venisim edhe këtë shpresë e rreze këtyre njerëzve, këtyre shqiptarëve që kanë dhënë shembuj burrërie e atdhetarie nëpër shekuj, dekada e vite. Po ua dërgoj këtë letër dhe lutje publike në festën e Pashkëve e do ua dërgoja edhe po të ishte tani festa e Bajramit se festa të kombit tonë janë këto. Harroni hidhërimet dhe bashkohuni sofër e në një këngë sepse uniteti Juaj është forcë e madhe për ne drejt angazhimeve në shërbim të kombit.
Rrahman Jasharaj