Lidhja Demokratike, thirrje subjekteve politike shqiptare në Malësi për bisedime lidhur me koalicion eventual për zgjedhjet lokale

– Unionit Demokratik të Shqiptarëve
– Alternativës Shqiptare
– Iniciativës Qytetare

F T E S Ë
për bisedime lidhur me koalicion eventual për zgjedhjet lokale të 23 majit 2010

Të nderuar,
– duke i vlerësuar zgjedhjet lokale si rast të mirë për bashkim të spektrit politik shqiptar këtu në Malësi,
– duke parë se, për sa i përket statusit të kësaj treve, përcaktim i të gjithë neve është komuna e plotë, si zgjidhje e vetme që garanton zhvillim,
– duke ditur se Malësisë më së miri mund t’i shërbejmë të bashkuar dhe
– bazuar në përfundimet e Kryesisë së LD në MZ-së,
Lidhja Demokratike, si subjekti më i vjetër shqiptar, merr iniciativën për të organizuar takimin e parë në këtë nivel, në mënyrë që, së bashku, të kërkojmë ofertë sa më të përshtatshme për votuesit tonë dhe perspektivë sa më të mirë për trevën e Malësisë.

Propozoj që takimi të mbahet të premten, më 16. 04. 2010, në orën 15:00, në kabinetin e Kryetarit të Komunës urbane. Propozoj që në takim të marrin pjesë nga 2 ose 3 përfaqësues të çdo subjekti.

Nëse keni vërejtje, për sa i përket vendit, apo kohës së mbajtjes së takimit, ju lutemi të na kontaktoni dhe, eventualisht të propozoni, vend apo kohë tjetër, gjithnjë duke pasur para sysh se nuk ka mbetur shumë kohë për negociata.

Me respekt,

Për
LIDHJEN DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI
Nikollë CAMAJ, kryetar i Degës së MALËSISË

KOMENTOJE