Iliriana Gjoni u lind në Ulqin në vitin 1986. Mësimet e para të pianos i merr në moshën 9 vjeçare pranë Shkollës së muzikës të qytetit të saj. Në vitin 2001 ajo mbaron shkollën fillore të muzikës dhe atë të përgjithshme, duke u cilësuar si nxënëse e gjeneratës e të dy shkollave. Në të njëjtin vit njihet me pianistin e pedagogun e famshëm malazez, Boris Kraleviq, me të cilin fillon një bashkëpunim intensiv. Studimet e saj i vazhdon në Shkollën e mesme të muzikës “Vasa Paviq” në Podgoricë, shkollë nga e cila do të cilësohet nxënëse e gjeneratës në vitin 2005. Gjatë këtyre viteve ajo punon edhe si spikere e TVMZ (RTCG1) për emisionet “Lajmet” dhe “Mozaiku 60”.
Në shtator të 2005 regjistrohet në Akademinë e arteve në Tiranë, departamenti i Pianos, ndërsa diplomohet në qershor të 2009 me notën 10 si diploma më e mirë e vitit. Nga qershori i 2006 mundi të frekuentonte një masterclass – të organizuar nga Akademia – të pianistes dhe pedagoges së shquar italiane Lucia Passaglia, me të cilën fillon dhe akoma vazhdon një kurs perfeksionimi. Fituese e një burse studimi të dhënë nga Qeveria italiane transferohet në Itali ku regjistron kurset universitare të nivelit të dytë (master) në Konservatorin e Pescaras, në klasën e prof. Silvio Feliciani.
Iliriana ka marrë pjesë në konkurse të shumta republikane, federative, kombëtare e ndërkombëtare duke u cilësuar deri më sot me mbi 20 çmime nga të cilat veçohen: 4 Lira të arta në Garat kombëtare të Malit të Zi, 3 Vende të para në Konkursin mbarkombëtar shqiptar EPTA, Çmimi i parë absolut në Garat evropiane të mbajtura në Itali dhe së fundmi Çmimi i parë në Konkursin ndërkombëtar Guardiagrele (CH).
Ka luajtur në koncert në të gjitha selitë e konkurseve ku ka qenë fituese, si dhe në festivale të rëndësishme të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë e Italisë.