Për dhe kundër koalicionit “Për Ulqinin evropian”

Koalicioni “Për Ulqinin evropian” të cilin e përbëjnë Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/ dhe Partia Demokratike e Socialistëve /PDS/ e Milo Gjukanoviqit ka habitur shumë njerëz, të cilët e kanë konsideruar edhe bashkërenditje të panatyrshme, por doli e kundërta, vlerëson kryebashkiaku i kësaj komune, Gëzim Hajdinaga, i cili kryeson edhe listën zgjedhore të këtij koalicioni për zgjedhjet lokale të 23 majit.
Gëzim Hajdinaga thekson se gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar, në saje të koalicionit “Për Ulqinin evropian” dhe të përkrahjes së Qeverisë malazeze, Ulqini u kthye në shkallën e normalitetit të zhvillimit.
“Kemi startuar me Planin e përgjithshëm urbanistik, për të vazhduar planet me ato detaje, të cilët i kanë munguar këtij qyteti. Fal mjeteve
financiare që kemi marrë me mbështetje nga Qeveria e Malit të Zi, kemi përmirësuar gjendjen në infrastrukturë, jo vetëm në qytet, por edhe në
zonat rurale”, thotë Hajdinaga. Ai shton se, përveç mysafirëve nga rajonet tradicionale, siç është Kosova, Maqedonia e Shqipëria, në Ulqin janë kthyer përsëri edhe turistët nga Bosnjë e Hercegovina.

Kështu nuk mendon Nazif Cungu, lideri i Forcës së Re Demokratike, e cila është në opozitë. Ai thotë se koalicioni “Për Ulqinin evropian” e ka varfëruar dhe shkatërruar Ulqinin. Sipas tij ky koalicion nuk ka realizuar asnjë projekt që u ka premtuar qytetarëve në vitin 2006.
“E keqja më e madhe është se Ulqini nuk ka Plan të përgjithshëm urbanistik. Tash 20 vjet e më shumë, nuk është hartuar asnjë dokument i plotë i kësaj natyre, dhe në këtë gjendje kush do të investonte në Ulqin. Kanë dështuar të gjithë tenderët për ishullin Ada dhe Plazhin e madh.
Aksi rrugor ndërkombëtar Ulqin – Sukubinë /kufiri me Shqipërinë/ nuk u rikonstruktua”, thotë Nazif Cungu.
Lideri i Forcës së Re Demokratike, shton se nuk u ndërtuar as ura shumë e përfolur mbi Portmilenë, as marina edhe pse dihet se Ulqini është i vetmi qytet në bregdetin e Malit të Zi që nuk ka marinë dhe pretendon të jetë qytet modern turistik. Sipas Cungut, buxheti u shpenzua për udhëtime të pafund jashtë shteti dhe koncerte muzikore, por jo edhe për ngritjen e nivelit ekonomik të Ulqinit. /Koha Ditore/

KOMENTOJE