Filloi fushata zgjedhore në Malësi

Kanë mbet edhe dhjetë ditë deri te zgjedhjet lokale në Malësi, ku do të zgjidhet pushteti lokal i komunës urbane të Tuzit për katër vitet e ardhshme.
Se fushata zgjedhore ka nisur, mund të vërehet edhe nga vendosja e bilbordeve e reklamave në qytezën e Tuzit dhe fshatrave në Malësi.

Në Malësi janë dy koalicione kundërshtare njëra-tjetrës që sipas gjitha gjasave njëra do të jetë prijëse në udhëheqësin e ardhshme të komunës urbane të Tuzit. Njëra është “Koalicioni për Malësinë – Për Komunë Shqip” i përbërë nga nga tri partitë nacionale shqiptare; Iniciativa Qytetare – Vasel Sinishtaj, Lidhja Demokratike – Nikollë Camaj dhe Alternativa Shqiptare – Gjergj Camaj, që në pushtetin lokal aktual janë në pozitë kurse koalicioni tjetër është koalicioni “Për Tuzin Evropian” i përbërë nga një parti nacionale shqiptare, një parti qytetare malazeze dhe një parti boshnjake; Unioni Demokratik – Ferhat Dinosha, Partia Demokratike e Socialistëve – Millo Gjukanoviq dhe Partia Boshnjake, që në pushtetin lokal aktual të Tuzit janë opozitë.

Në mes tjerash, është kjo zgjedhje në mes dy rrymave, njëra që në poste siç është kryetari i komunës apo i kuvendit mund të jetë njeri nga parti qytetare, jo-shqipfolës, dhe tjetra që në këto poste do të jenë shqipfolës. Gjithashtu, është zgjedhje në mes të atyre që ende nuk janë deklaruar a përpiqen për komunë të plotë të Malësisë por sigurojnë referendum për komunë dhe atyre që përpiqen dhe kërkojnë komunën e plotë pa alternativë.

Në fushatat zgjedhore në të kaluarën pamë se nga zhurma të prira nga emocionet e pakontrolluara, Malësisë dhe banorëve të saj i shkaktuan më shumë dëm se dobi. Prandaj, shpresojmë se kjo nuk do të përsëritët kësaj herë, por kjo fushatë zgjedhore duhet të jetë së pari e ndershme ku fjalët të jenë të matura e premtimet të jenë të sinqerta dhe reale. Garuesit për pushtet të merren më shumë me veten e më pak me kundërshtarin politik. Të flitet e premtohen planet të cilat i kanë për qellim ti realizojnë, ose së paku sinqerisht të punojnë për ti realizuar, dhe jo për ato premtime të cilat do ti lejnë mbas dore deri te zgjedhjet e ardhshme, e atëherë për tu kthyer te votuesi me të njëjtat premtime.

Zgjedhjen sidoqoftë do ta bëjnë votuesit, banorët e Malësisë, zgjedhje e cila duhet të respektohet nga të gjitha palët, shpresojmë në atmosferë të qetë të tolerancës dhe kulturës. /R. Ivezaj/

KOMENTOJE