Tiranë, 14 maj – Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar, përkatësisht kryetari i tij Gafurr Adili i ka dërguar një letër dy kongresistëve (Sandry Levin e Gary Peters) dhe një senatori amerikan (Carl Levin) një letër në të cilën i përshëndetë për letrën që ata ia kanë dërguar sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton më 16 prill të këtij viti lidhur me të drejtat etnike të shqiptarëve etnikë në Malin e Zi.
“Fatkeqësisht, diskriminimi dhe pabarazia e shqiptarëve nën Malin e Zi nuk janë fenomene të rastësishme, as të veçuara. Diskriminimi i tyre është efekt i kolonizimit malazez mbi popullin dhe trojet shqiptare, ku Malësia e Mbishkodrës ka qenë e pushtuar dhe e kolonizuar që nga viti 1913 nga pushtuesit e kolonizatorët malazezë. Si pasojë e këtij kolonizimi, shumica e popullsisë shqiptare ka mërguar në SHBA. Shqiptarët janë të pushtuar dhe të kolonizuar, përveç Malësisë së Madhe, edhe në Luginë të Vardarit – ILIRIDË (nga sllavo-maqedonasit), në Kosovën Lindore (nga serbët) dhe në Çamëri (nga grekët), prej nga u dëbuan shqiptarët me fe myslimane më 1945 nga krimineli Napoleon Zerva” thuhet në këtë letër dhe në vijim ftohet SHBA-ja, si gardian i demokracisë botërore, që të përkrahë “dekolonizimin e shqiptarëve dhe të trojeve të veta etnike dhe respektimin e të drejtës së vetëvendosjes përmes referendumit për shqiptarët, që do të thotë që shqiptarët të kenë të drejtë të votojnë për ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar”. /Koha Ditore/