Ylli kosovar i Sandërlendit, Lorik Cana, është shprehur i gatshëm që të bëhet pjesë e delegacionit lobues të Federatës Kosovare të Futbollit (FFK) në rrugën drejt pranimit si anëtare me të drejta të plota nga FIFA e UEFA.
Ndërkohë, mesfushori me tipare shkatërruese, përsëriti vendimin e tij se nuk ka ndërmend të veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës edhe pas njohjes së kësaj skuadre në arenën ndërkombëtare, por do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë.
Këto komente Cana i bëri të enjten, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë, të cilin e vizitoi gjatë pushimeve që po zhvillon në Prishtinë, pas mbylljes së sezonit në Premiershipin anglez.
“Unë jam i gatshëm të bëhem pjesë e delegacionit të FFK-së për të vazhduar përpjekjet për pranim si anëtarë të FIFA-s e UEFA-s. E njoh mirë presidentin e UEFA-s, por edhe atë të FIFA-s. Federata më kishte ftuar edhe në dy takimet që Fadil Vokrri (kreu i FFK-së) ka zhvilluar me drejtuesit e FIFA-s, por nuk munda t’i bashkohesha delegacionit kosovar, për shkak të impenjimeve me klubin tim. Megjithatë, jam i gatshëm të jap kontributin tim në këtë drejtim. Madje, këtë e cilësoj një detyrim ndaj Kosovës”, deklaroi Cana, i cili shprehu bindjen se futbolli kosovar do të ketë përmirësime të dukshme në harkun e pak viteve.
“Jemi një komb me dy përfaqësuese. Mendoj se nuk kemi luksin dhe kualitetin për të krijuar dy përfaqësuese të forta, e për këtë arsye nuk kam menduar që ta ndërroj Kombëtaren e Shqipërisë. Ëndrra ime është që me Shqipërinë të marr pjesë në një kampionat botëror”, theksoi 26-vjeçari, i cili është në pritje që së shpejti të marrë shiritin e kapitenit në skuadrën kuqezi.
Në të njëjtën ditë, Lorik Cana është pritur edhe nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Për sa i takon Kombëtares shqiptare, ai ka pohuar se nevojitet ende shumë punë për të krijuar një ekip të fortë, i cili do të paraqitej denjësisht në aktivitetet ndërkombëtare. Cana mendon se kontingjenti duhet të rinovohet me elementë të rinj, përse jo për të vazhduar përforcimin me talente nga Kosova. Mesfushori është “sponsori” i Migjen Bashës te trajneri Josip Kuzhe, ndërsa ka deklaruar se Mërgim Mavraj nuk duhet të gjykohet për vendimin e tij që mos të luajë me Shqipërinë. /Top Channel/