E ofenduan tifozët shqiptarë në ndeshjen Mali i Zi–Shqipëri, por nuk ndihet i dëshpëruar. Thotë se ata nuk kishin të drejtë, pasi nuk e dinë se si kanë shkuar rrjedhat më parë. U takua me kosovarët e Shqipërisë. Bisedoi me Lorik Canën. Shprehet edhe njëherë i gatshëm që të luajë në të ardhmen për Kosovën.
Në Mal të Zi konsiderohet si mbret, ndërsa tifozët shqiptarë të martën mbrëma e ofenduan. Sulmuesi kosovar i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, për pak nuk e shndërroi atmosferën në dhunë. Përgatitja e tij për të hyrë në lojë kundër Shqipërisë nxiti tensione në stadiumin ‘Pod goricom’ të Podgoricës, ku Shqipëria fitoi 1-0 në miqësoren me malazezët. 22-vjeçari nga Peja, fillimisht u brohorit nga tifozët shqiptarë dhe më pas u ofendua. Në ndihmë atij i dolën tifozët malazezë. Falë forcave të rrepta të sigurisë, nuk erdhi deri te ndonjë incident. Një ditë pas ndeshjes, Fatosi, i ndodhur me kombëtaren e tij, në Hotel City, gjen kohë për t’u rrëfyer në një intervistë për gazetën “Sport” në Kosovë dhe “Sporti shqiptar” në Shqipëri. Përpos rastit të tifozëve, ai flet edhe për takimin me Lorik Canën, kombëtaren shqiptare, përfaqësuesen e Kosovës, Buducnostin, marrëveshjen me Benfikën dhe të ardhmen e tij.
– Shqipëria e mposhti Malin e Zi, me rezultatin 1-0. Çka mendoni se e vendosi takimin?
– Mali i Zi nuk u paraqit me lojtarët kryesorë, sidomos ata të mesfushës, Boshkovic e Jovetic, si dhe mbrojtësi Basha. Dhe kur mungojnë 3-4 lojtarë, ka domethënie të madhe për një ekip si Mali i Zi. Shqipëria luajti mirë, zhvilloi një lojë të mençur, stabile dhe arriti të shënojë nga një gabim i mbrojtjes sonë.
– U inkuadruat në radhët e Malit të Zi në pjesën e dytë. Çfarë ndjenje ishte të luanit përballë Shqipërisë?
– Normalisht, është ndjenjë e veçantë. Kundër Italisë, kur kemi luajtur, ka qenë një ndjenjë tejet e mirë, por kundër Shqipërisë ishte ndjenjë e veçantë. Çdoherë kam thënë se jam tifoz i tyre dhe kështu do të jem gjithmonë. Shqipërisë i dëshiroj suksese në kualifikimet e Euro 2012.
– Kur dolët për t’u ngrohur, tifozët shqiptarë fillimisht brohoritën emrin tuaj (Fatos, Fatos…), me ç’rast jua kthyet me një përshëndetje me dorë, por nuk vonoi shumë dhe u ofenduat. Si i përjetuat këto thirrje?
– Unë i kuptoj tifozët, por ata nuk e dinë situatën si ka qenë. Ata mendojnë ndryshe. Unë asnjëherë nuk kam pasur të paktën një telefonatë nga Shqipëria. Jo ftesë, por as edhe një telefonatë deri më tani nuk e kam pasur nga ndonjë zyrtar apo trajner i Shqipërisë. Jo që nuk kam pasur ftesë, por as një telefonatë, për të parë se ku jam duke luajtur, ose për të më pyetur. Për ata tifozë që ishin të pranishëm dua të bëj me dije se po të mos luaja për kombëtaren e Malit të Zi, edhe pse kam zhvilluar lojëra të mira për Buducnostin, nuk do të isha i vërejtur nga klubet e tjera. Pra, për të mirën e karrierës time, në mënyrë që të arrij më lart, kam vendosur të luaj për kombëtaren e Malit të Zi.
– Pas këtyre ofendimeve, ju gjetët përkrahje te tifozët malazezë. Madje, kur hytë në fushë, thuajse të gjithë tifozët e kombëtares së Malit të Zi u ngritën në këmbë duke ju duartrokitur. Po të shënonit gol, do të gëzoheshit?
– Deri më tash, sa kam luajtur për Malin e Zi, e kam pasur një përkrahje të tifozëve dhe për këtë jam çuditur edhe vetë. Normalisht që kisha festuar, si për golat që shënoj me Buducnostin, por jo në ndonjë mënyrë të veçantë.
– Nuk do të të vinte keq për shqiptarët?
– Normal, është më ndryshe se kur shënon ndaj të tjerëve. Pastaj kur ndihen këngët shqipe, himni, për këtë edhe është ndjenjë krejt ndryshe. Sa kam luajtur në Kosovë, gjithmonë i kam ndjekur lojërat e Shqipërisë. Edhe tani, kur kam kohë, i ndjek.
– Keni pasur ndonjë kontakt me lojtarët e kombëtares shqiptare para, pas apo edhe gjatë lojës?
– Po, kisha kontakte. Para ndeshjes kam ndenjur me Lorik Canën, Ahmed Jonuzin, Debatik Currin, Armend Dallkun. Gjatë lojës nuk kishim ndonjë kontakt. Vetëm se para lojës kishim një bisedë më të gjatë me Canën.
– Për çfarë biseduat me Canën, e përmendët të ardhmen e përfaqësueses së Kosovës?
– Jo, nuk e kemi përmendur Kosovën. Biseduam për klubet tona, rrjedhat. Për mundësinë e transferimit tim në ndonjë skuadër më të fortë. Më vjen mirë që pata rastin të bisedoja me të. Ishte bisedë e mirë.
– Si u prit nga Mali i Zi humbja me Shqipërinë?
– Trajneri tha se edhe pse kemi humbur, kemi vërejtur disa gjëra pozitive. Kjo është fazë përgatitore para fillimit të kualifikimeve të EURO 2012 dhe shpresonim të merrnim rezultat të mirë ndaj Shqipërisë. Nuk patëm presion apo diçka, por duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e parë kualifikuese me Uellsin. Sezonin e kaluar nuk kishim fat. Unë po ashtu jam i angazhuar edhe me U-21, ku më 6 qershor kemi ndeshjen vendimtare ndaj Suedisë.
– Më herët patët thënë se në të ardhmen do të luani për Kosovën. Qëndroni edhe tani pas këtyre deklaratave?
– Po, kam pasur kontakte me Fadil Vokrrin (kryetar i FFK-së), pastaj me Edmond Rugovën (ish-përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës). Këto kontakte i kam pasur përmes Bakir Burrit (anëtar i kryesisë së Besës). Gjithmonë kam thënë dhe them se deri sa të pranohet FFK në UEFA e FIFA, dhe të kemi përfaqësuesen tonë, unë do të luaj për Malin e Zi. Vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim. Nuk e di nëse do të kem të drejtë të luaj, por unë shpresoj se një gjë e tillë do të më mundësohet dhe do të jem i gatshëm të luaj për Kosovën.
– Si janë raportet tuaja me Mirko Vuçiniqin në fushë. Përshtateni me lojën e tij?
– Mirë, nuk janë keq. Kam marrëdhënie të mira edhe me të edhe me Joveticin. Madje, me këtë të fundit luajmë së bashku edhe në U-21. Ai nuk është vetëm futbollist i shquar, por edhe njeri shumë i mirë.
– Pas ndeshjes, e ke ndërruar fanellën me Currin. Pse pikërisht me këtë?
– E kisha më së afërmi kur përfundoi ndeshja dhe i thashë: a po i ndërrojmë fanellat? Ai ma ktheu dhe tha se ‘po i ndërrojmë, vetëm pse je shqiptar’. Është një kujtim që nuk do ta harroj kurrë. /Sporti Shqiptar/