Tuzi pret t’ia emërojë kryetarin Podgorica

Tuz, 31 maj – Ndonëse është pritur se koalicioni “Për Tuzin evropian” do të konstituohet pa ndonjë zvarritje të theksuar, megjithatë ende nuk ka ndodhur ky akt, njofton KosovaLive. Ky grupim politik, të cilin e përbëjnë Partia Demokratike e Socialistëve /PDS/ (DPS Milo Djukanovic), Unioni Demokratik i Shqiptarëve /UDSH/ dhe Partia Boshnjake, në zgjedhjet lokale të 23 majit ka siguruar 11 mandate, pra shumicën e duhur.

Koalicioni rival “Për Malësinë”, i përbërë nga tri partitë nacionale shqiptare, mori vetëm 7 këshilltarë, Lista “Për Tuzin“ 1, koalicioni i partive serbe 1 dhe Socialdemokratët një këshilltar.

Shefi i klubit të këshilltarëve të UDSH në Komunën Urbane të Tuzit, Fadil Kajoshaj gjatë katër viteve të ardhshme do të ushtrojë funksionin e kryetarit të Parlamentit, ndërsa emri i kryetarit të kësaj komune nuk është shpallur ende, edhe pse me marrëveshjen parazgjedhore midis partnerëve të këtij grupimi politik është definuar që i pari i Komunës Urbane të Tuzit /KUT/ të jetë nga radhët e PDS (DPS), nëse ky koalicion siguron shumicën e duhur të mandateve.

Kryetari i klubit të këshilltarëve të PDS-së (DPS) në KUT, Halil Dukovic, njeri ndër kundërshtarët më të fuqishëm për statusin e komunës së plotë të Malësisë me qendër në Tuz, si dhe kritikuesi i garniturës paraprake të partive nacionale shqiptare “të paafta për të drejtuar një komunë”, shprehet se “nuk është rëndësi e dorës së parë se kush do të jetë kryetar i KUT, sepse ai komunën do ta udhëheq sipas programit që ajo parti ka hartuar”.

“Kreu i partisë do të vendos kush do të zgjedhet në krye të KUT, edhe jam i sigurt se do të jetë kandidati më cilësor edhe më i mirë për atë funksion”, nënvizon kryesocialisti i Malësisë, i cili sipas burimeve jozyrtare nga PDS (DPS), pikërisht ai do të jetë në krye të KUT.

Analistët e pavarur, duke u mbështetur në zërat se edhe në Ulqin e Tuz, njerëzit që do të udhëheqin do t`i caktojë kreu i PDS-së (DPS), atëherë, sipas tyre,”nuk ka pasur fare nevojë që të mbahen zgjedhje në Ulqin e as në Malësi!?” /Koha Net/

KOMENTOJE