Podgorica mohon të ketë marrë ftesë për demarkacionin

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i Malit të Zi, Ivan Brajoviq, i ka deklaruar gazetës “Vjesti” se nuk ka marrë kurrfarë letre nga ministri kosovar i brendshëm, Bajram Rexhepi, me kërkesën që të fillojë procesi i demarkacionit të kufirit, transmeton FoNet.

Rexhepi më herët ka akuzuar zyrtarët malazezë se qëllimisht po mbyllin sytë para problemeve rreth kufirit, dhe se nuk janë përgjigjur në kërkesat e mëhershme të Prishtinës prë zgjidhjen e çështjeve kufitare. Siç transmeton TV i Malit të Zi, Rexhepi ka thënë se qytetarët malazezë kanë lëvizur, një nga shenjat e rëndësishme kufitare në dëm të territorit të Kosovës. Ai ka shtuar se javën e kaluar i ka dërguar letër ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi me kërkesën që të fillojë demarkacioni i kufirit.

Brajoviq sipas FoNet iu ka kundërpërgjigjur se nuk ka marrë kurrfarë letre nga Rexhepi.

KOMENTOJE