Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e shtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët jashtë kufijve. Një plan i tillë është zbatuar nga shtetet fqinje siç janë Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe vendet tjera ish-jugosllave. Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, thotë INA, mirëpo ata theksojnë se vetë shteti shqiptarë duhet të vlerësojë se a duhet apo jo të krijohet mundësia nëpërmjet rrugëve konstitucionale, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ata jetojnë në dy shtete apo më shumë shtete, por pajisja me shtetësinë shqiptare të bëhet sipas modelit të shtetësisë së dyfishtë, që lejohet nga shumë shtete.
Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri Sali Berisha me dekretin e presidentit Bamir Topi të përmbush premtimin e dhënë në vitet e 90-ta, kur kishte pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.
“Duhet të realizohet kjo, sepse kemi rastin konkret edhe të maqedonasve, të cilët kudo që janë posedojnë edhe shtetësinë e Maqedonisë. Sidomos një mundësi e tillë po shfrytëzohet nga shqiptarët që jetojnë në kufirin me Maqedoninë, të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedonase”, ka theksuar juristi Numan Limani.
Kohë më parë burime të afërta me Qeverinë në Tiranë nuk kanë përjashtuar mundësinë që Qeveria shqiptare të shqyrtojë një plan të tillë për dhënien e shtetësive për gjithë qytetarët shqiptarë edhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Ligji për dhënien e shtetësisë është një e drejtë që dekretohet nga Presidenti i Shqipërisë dhe se të drejtën e përfitimit të saj e ka ai shtetas i huaj që ka plotësuar 5 vjet të qëndrimit të rregullt në territorin e shtetit shqiptar. Në asnjë nen të ligjit të ndryshuar në vitin 1998, nuk parashikohet përfitimi përmes etnitetit dhe që mundëson që çdo shqiptar të ketë të drejtën e posedimit të shtetësisë shqiptare. Në rast të ndryshimeve të paralajmëruara, atëherë të drejtën e pajisjes me shtetësi shqiptare do ta kenë mbi 5 milion shqiptarë në rajonin e Ballkanit. /Koha Net/