Deputeti Bardhi kërkon zbardhjen e Masakrës së Tivarit

Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, i është drejtuar kryeministrit malazias, Milo Djukanovic, të mërkurën, me pyetjen për zbardhjen e Masakrës së Tivarit, njerës prej ngjarjeve më të tmerrshme që ndodhën në këto mjedise, me likuidimin e shqiptarëve të pafajshëm.

“Ka shumë raste, në të kaluarën e largët dhe të afërt, të cilat kanë ndodhur në hapësirën e Malit të Zi të sotëm, dhe kanë lënë gjurmë të thella, hije të zeza dhe barrë të të rënda për breznitë, edhe për qeverinë e sotme, meqë nuk janë zbardhur dot”, thotë Bardhi për KosovaLive.

Sipas tij, kjo ka ndodhur, në radhë të parë për shkak të papërgjegjësisë ndaj historisë së vet, por edhe të mungesës së gatishmërisë për t’u ballafaquar me të vërtetën, qoftë ajo edhe më e dhembshmja për të fshehur përgjegjësit, ekzekutorët apo urdhërdhënësit.

Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ), Mehmet Bardhi thekson se njera prej ngjarjeve më të tmerrshme, “holokausti i këtyre mjediseve”, është Masakra e Tivarit, e zhvilluar më 1 prill të vitit 1945 në Tivar, në Mole dhe në ndërtesën e Monopolit të duhanit të këtij qyteti.

“Këtu, në çmendurinë më të madhe shoviniste që njeh historia, brenda pak minutash, në një sipërfaqe prej 10 ari, ushtria malazeze-serbe ka masakruar me armë zjarri dhe armë të ftohta 3.770 shqiptarë duarthatë, të rekrutuar, gjoja, për nevojat e Ushtrisë antifashiste të Jugosllavisë”, nënvizon Bardhi.

Ata, shton ai, kanë qenë të mobilizuar nga të gjitha anët e Kosovës në Prizren, prej nga në fund të marsit të vitit 1945, 7.700 shqiptarë, të radhitur në tre eshalone, janë shoqëruar këmbë në rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Anë të Malit–Tivar, me qëllim që t’i transportojnë më tej me barka për Dubrovnik, Trogir deri në Istria. Por, qëllimi kryesor shihet se ka qenë likuidimi i tyre.

Mehmet Bardhi shtron pyetjen se në cilin lokalitet mund të ndodhet varri masiv, meqë deri më tash nuk ekzistojnë varre përveç disa që ndodhen pranë rrugës.
Sipas tij, shumicën e viktimave të pafajshme i ka përbi deti ndërkohë që në Mole, në breg të detit, “janë vërejtur shumë trupa të pajetë, shumë plisbardhë duke ‘notuar’ me ditë të tëra.”

Duke përsritur se nuk ka asnjë gjurmë për trupat e pajetë të ngarkuar në kamionë dhe të transportuar në malin e Sutomanit, mbi Tivar, Bardhi thotë se mbase mund të jenë hedhur në ndonjë shpellë.

“Duke e ditur faktin se krimet nuk harrohen, as nuk mplaken, a kanë ndërmend organet zyrtare shtetërore të Malit të Zi të iniciojnë hetime për të zbardhur Masakrën e Tivarit?” e pyet Bardhi kryeministrin e Malit të Zi, Milo Djukanovic, në pritje të një përgjigjeje me shkrim. /Koha Net/

KOMENTOJE