Gegaj: Komunën e pavarur të Tuzit nuk duhet përmendur tash

Tuz, 26 qershor – Kryetari i Komunës Urbane të Tuzit (KUT), Nikollë Gegaj të shtunën ka porositur se rrëfimin mbi komunën e pavarur të Tuzit, tash nuk duhet përmendur, sepse ajo është vështirë të realizohet me buxhetin e komunës urbane.
“Si njerëz seriozë, mendojmë se për të themeluar komunë funksionale, opsioni më i mirë është ai që lidhet me buxhetin e kryeqytetit – Podgoricës. Kur të shohim se mund të funksionojmë vetëm, do të jemi të parët që do të angazhohemi për komunën e pavarur, por duhet të kemi edhe ndonjë ‘vegëz’ me Podgoricën, sepse është qyteti ynë”, shprehet Gegaj, raporton KosovaLive.
Duke komentuar vendimin mbi organizimin e referendumit më 8 gusht, të cilin e ka miratuar edicioni paraprak i KUT, Gegaj mendon se ai vendim ka qenë arbitrar në aspektin e bazës juridike.
“Me Statutin e kryeqytetit është definuar se Kuvendi i kryeqytetit shpall referendumin për mbarë territorin e vet, apo një pjesë të tij.
Ndërkaq, me vendimin statutar të KUT, Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit nuk është kompetent të nxjerrë vendime të këtilla, por kjo, kryesisht, është kompetencë e kryeqytetit”, ka theksuar Gegaj.
Ai më herët ka pohuar se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar nuk do të heqim dorë deklarimin e qytetarëve për statusin e Komunës së Tuzit.
“Qëllimet tona janë të sinqerta. Premtimet që u kemi dhënë qytetarëve në fushatën parazgjedhore si koalicion ‘Për Tuzin evropiani’, do t’i realizojmë,” pohon Nikollë Gegaj, kryetar i Komunës Urbane të Tuzit. /Koha Net/

KOMENTOJE