Përmbyllet takimi i liderëve të rajonit

Takimi i liderëve të rajonit, që nisi punimet të premten në Prevallë afër Prizrenit, të dielën i ka përmbyllur punimet. Pasi i ka përcjellë presidentët Topi e Ivanov, të cilët u larguan sot nga Kosova (derisa presidenti Vujanovic u largua të shtunën mbrëma), nikoqiri i takimit, presidenti Fatmir Sejdiu i bëri një vlerësim rrjedhës së takimit.

Sejdiu shprehu konsideratat më të larta për kontributin e secilit president pjesëmarrës në takim, për angazhimet e tyre të thella në kuptim të intensifikimit të bashkëpunimit në mes vendeve dhe për klimën e jashtëzakonshme që ka mbretëruar gjatë takimit të përbashkët, por edhe gjatë takimeve bilaterale.

“Tema bosht që lidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve u trajtua në esencë, edhe si kuptim filozofik, por edhe si ndjenjë e veçantë e vendeve tona për të bërë të mundshmen më të mirë, që qytetarët e vendeve tona të kenë mundësinë e gjithmonshme të lëvizjes së lirë, jo vetëm si individë, por edhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike, pra lirinë e komunikimit ekonomik të bizneseve dhe të fushave të tjera”, theksoi Sejdiu.

Duke vlerësuar se mesazhet e përcjella ishin të një ndjenje të miqësisë, të bashkëpunimit të thellë dhe të ndihmës reciproke, presidenti i falënderoi homologët e tri vendeve për idetë e shumta që u dhanë se si t’i shpejtojmë zhvillimet e përgjithshme që kanë të bëjnë edhe me proceset integruese.

Sejdiu shprehu besimin se takimi i ardhshëm, i planifikuar të mbahet në Maqedoni, do të jetë edhe më me kualitet dhe se është borxh i liderëve të vendeve për ta thelluar këtë bashkëpunim në të ardhmen, qoftë me vizita bilaterale, qoftë të karakterit punues. /Telegrafi/