“Provokimet” e ëmbla të Adelinës!

Tetëmbëdhjetëvjeçarja nga Shkupi, Adelina Tahiri, si një meteor po ngritët shndritshëm shkalleve të karrierës muzikore tek ne. Ajo, i ka vënë vetes një barrë të rëndë: të bëhet zë i fuqishëm i skenës sonë, madje, duke thyer shabllonet dhe kornizat eventuale. Skena e saj është e gjerë dhe e hapur, mu sikurse që është rruga dhe vizioni i saj. Pra, në horizont kemi një këngëtare sharmante dhe pasionante, e cila ka për qëllim pushtimin e zemrave artdashëse. Dhe, duket se këtë po e arrin me elegancë dhe pak, provokime të ëmbla!

ADELINA TAHIRI – NUK JAM PENDUAR video

Bisedoi: Gazmend Kajtazi
Foto: Armend Ramadani

Ju e kishit kuptuar që fëmijë që e ardhmja juaj do të ishte në muzikë, apo çdo gjë erdhi natyrshëm?
Po, në fakt, prindërit e mi e kishin kuptuar që në fëmijëri që jam e lindur për muzikë. Natyrisht, asgjë nuk vjen rastësisht, unë rrjedh nga një familje që merren me art. Kam nënën time të talentuar për muzikë e vallëzim, e cila ka qenë e regjistruar në Akademinë e Arteve, gjyshja ime e ndjerë, Diana Mehmeti, aktore dhe një ndër themelueset e teatrit shqiptar në Maqedoni dhe dy tezet e mia, aktore, njëra në dramën shqiptare, tani deputete Flora Kadriu, kurse tjetra në dramën turke dhe këngëtare e njohur turke, Perihan Tuna.

Ju sapo keni filluar ta çani tregun muzikor dhe besoj se kishit krijuar një “imazh” për të, para se të depërtonit. Në të vërtetë, sa përputhej kjo me atë çka ju jeni duke u përballur?
Mendoj se është vështirë që të krijosh një imazh, mirëpo, e kam krijuar që moti nga pjesëmarrja ime në festivalet e fëmijëve. Mendoj që kam mbajtur imazhin dhe është gjë e rëndësishme për një artist.

Dukesh që je tipi i këngëtares provokuese për moshën që ke, qoftë në pamje, në këngë, në veshje, pse ke zgjedhur të performosh me këtë lloj forme?
Nuk pajtohem me mendimin. Dukem ashtu siç më shihni, në trend. Këngët janë këngë, kurse veshjen e kam mani – dua të dukem bukur dhe nga e bukura nuk humb askush. Shikimi i parë është vendimtar. Nganjëherë edhe forma ka shumë rëndësi, nëse bëhet me shije dhe shpalos fantazi!

Mendoni se ka qenë dhe bukuria juaj që ka elektrizuar publikun dhe skenën?
Duhet ta komentojnë të tjerët, jo unë.

Ju, artistët e rinj, jeni mundësia më e mirë për t’i dhënë tregut një drejtim tjetër. Si duhet vepruar sipas jush?
Të punojmë dhe të krijojmë për kulturën shqiptare. Fryma e re, koha e re, njerëzit e rinj, ky është ligji i natyrës. Natyrisht, pa shkelur mbi traditën dhe vlerat e kohës.

A jeni duke kërkuar famën? Cila është strategjia juaj për të rënë më shumë në sy kundrejt këngëtareve tjera?
Mendoj se duhet të jesh e veçantë. E veçanta e bën njeriun atraktiv. Unë e urrej uniformitetin.

Ta zëmë se kënga jote do të këtë sukses dhe ti bëhesh një këngëtare e njohur. Ku mendon se do të jetë ndryshimi yt nga këngëtaret tjera, të cilët më shumë vetëquhen ashtu sesa janë?
Mendoj se e kam mbërri atë epitet (qesh).

Cili është mendimi për femrat e gjeneratës së sotme, dhe si dukeni ju në sytë e kësaj gjenerate?
Çuditshëm…çuditshëm.

Muzika, shkolla…zënë një pjesë të rëndësishme te ju. Si rrjedh në fakt e përditshmja e Adelinës?
Është fakt se shkolla është prioritet për mua, por sapo e përfundova shkollën e mesme tw muzikës, tani mendoj për regjistrim në fakultet.
Përditshmëria ime është me angazhime, ushtrime, piano, solo këndim, studio, etj. Një ditë plot dinamizëm dhe pa monotoni.

Për një këngëtare më shumë rëndësi kanë albumet apo ftesat në koncerte? Pse?
Albumi është një arritje personale edhe përveç kësaj hap i rrugë dhe ftesave për koncerte.

Mendoni se ky është shekulli i njerëzve të bukur, ty personalisht të janë hapur shumë dyer?
Po, por mendoj që janë hapur dyert për kualitet të këngëve, e jo për bukuri. E bukura është kalimtare, arti është afatgjatë.

Kur i ke thënë vetes, “si unë nuk ka tjetër”?
Çdo njëri ka egon e vet. Unë nuk e kam të theksuar deri në këtë pikë, por ka patur raste kur e kam thënë, sidomos në situata të vështira të cilat mund t’i kem përballuar më së miri.

Sa ka ndikuar në jetën tënde private, fakti që je një këngëtare e njohur?
Po, ka ndikuar ndonjëherë me policë, hahata…në shumë raste.

Filluat me këngën ‘Narcisoid’ një këngë që ju solli shumë sukses. Zëri yt është kaq tërheqës, i ngrohtë dhe joshës, sa të ka ndihmuar në çështjet e dashurisë?
Nuk kam kohë të mendoj në dashuri. Jam e dashuruar në muzikë.

Sa i besoni kësaj ndjenje?
I besoj shumë. Është ndjenjë e bukur.

Cili është mashkulli ideal për ju? Në fakt, kë doni të prisni?
Ende nuk e kam takuar, s’kam kënd ta pres… le te presin ata, hahaha.

Pse?! S’mendon se mund ta duash përjetë një njeri?
Ndoshta, nuk e di…ende nuk e kam përjetuar një ndjenjë të tillë.

Nuk ke pasur bezdisje prej djemve?
Nuk dua ta komentoj.

Nuk ka pasur ndonjë djalë të marrosur pas teje?
Nuk e di…

Do ta bëje tatuazh emrin apo germën e parë të emrit të njeriut që do?
Se kam menduar ndonjëherë.

Sa mëkatare dhe sa ëngjëllore është Adelina?
Mëkatare aspak, madje këto kohët e fundit do ta bëja ndonjë mëkat, por s’po gjej se çfarë (qesh). As engjëllore shumë nuk jam. Ama, për njerëzit që i dua, bëj gjithçka. Jam person që i përshtatet shumë realitetit dhe, njëkohësisht, shumë neutrale, e padjallëzuar.

Një vajzë e re në ditët e sotme presupozohet që përveç angazhimeve të marrë kënaqësi edhe nga argëtime të ndryshme. Ju gjeni kohë për to?
Ndonjëherë.

Meqë jemi tek stina e verës, çdo të thotë verë për ju?
Verë për mua? Diell plot me rreze për trupin, shumë ritëm e punë, natyrisht.

A mendoni se koha, stinët, ndikojnë drejtpërdrejt në shpritin e një njeriu?
Patjetër. Por, tek artistët ky reaksion është i vrullshëm.

Çfarë marrëdhëniesh keni me paranë? Shpenzoni shumë apo e cilësoni veten
një kursimtare?

Nuk rend pas parasë, por nuk e di pse paratë më kanë shumë qejf përderisa rendin ato pas meje.

Kthehemi tek muzika, skena…Çfarë jeni duke realizuar në këto momente, dhe a do të mund të ndryshonit stil në muzikë tani e tutje?
Tani sapo e kam realizuar duetin ‘Magnet’ me raperin F-kay, me të cilën këngë në “Çelësi muzikor 2010/4”, u shpërblyem me çmimin e parë & Best Duo. Jam duke e realizuar edhe një videoklip me produkcionit Max. E sa për ndryshimin e muzikës nuk e di se çfarë do të ndodh. Kurrë, mos thuaj kurrë.

Bëni plane, apo e lini kohën të rrjedhë e të punojë për ju?
Bëj plane, por në këtë profesion ndodhin ngaherë të papritura.

Dhe në fund na shuani kuriozitetin, ku do t’i kaloni pushimet?
Si duket, në Greqi, me disa vikende në Shqipëri.
/Telegrafi/