Duke parë dhe lexuar mediat shqiptare në lidhje me procesin gjyqësor kundër emisionit “Fiks Fare” më ka “ngacmuar” për hir të së vërtetës juridike dhe morale që të bëj një analizë duke tërhequr një paralelizëm të kësaj kauze ligjore me kauzat e ngjashme në përmasa të praktikës ndërkombëtare dhe nacionale gjyqësore në këtë drejtim.
E drejta për privatësi dhe mediat janë rivalë të përjetshëm, ndërsa konfliktet në mes tyre duket që janë që nga fillimi i këtyre të fundit. Fakti është që privatësinë nga publiciteti e ndan pothuajse kufiri i padukshëm, por ai kufi duhet të mos tejkalohet. Mjeti i përdorur për të ardhur deri te provat materiale që kanë të bëjnë me ndonjë vepër penale është i pranueshëm, duke mos qenë në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Këtu nuk kemi të bëjmë me teorinë Makiaveliste që qëllimi e justifikon mjetin, sepse nuk duhet të bihet ndesh me të drejtat e njeriut.
Te ne, në Mal të Zi, privatësia mund të mbrohet në bazë të nenit 40 të Kushtetutës malazeze, ku është përkufizuar e drejta për privatësi, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe në bazë të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Sigurisht, që së bashku me këto dokumente janë shumë të rëndësishme edhe vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila i përcakton këto standarde dhe në substancë nënkupton që personalitetet publike, veçanërisht funksionarët, gëzojnë, ndjeshëm më pak shkallën e mbrojtjes së privatësisë së tyre.
Rregullativat juridike të Këshillit të Europës përkufizojnë që duhet respektuar privatësia e politikanëve dhe që mediave u lejohet që të lançojnë vetëm ato informata për jetën private të cilat kanë ndikim në kryerjen e funksionit të tyre.
Kur kemi të bëjmë me privatësi dhe asaj a ka të drejtë funksionari publik në mbrojtje të privatësisë, atëherë ajo gjithmonë vlerësohet në bazë të asaj sa është i përfaqësuar interesi publik. Nëse nuk ka elemente të interesit publik, atëherë, sigurisht, zyrtari ka të drejtën t’i respektohet plotësisht privatësia. Po ashtu, sipas dokumenteve të Këshillit Europian dhe vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, tregojnë që mediat kanë të drejtë që të publikojnë atë çfarë bëjnë dhe flasin politikanët, por duke pasur kujdes që të jenë të sakta se përndryshe mund të përgjigjen para drejtësisë.
Në SHBA, mbrojtja e privatësisë është zgjidhur në amendamentin e parë të Kushtetutës, që ka të bëjë me të drejtën dhe lirinë e të shprehurit pa asnjë kufizim dhe të standardizuar në bazë të praktikës gjyqësore. Sigurisht, ekzistojnë disa standarde gjyqësore të cilave u duhet përmbajtur. Amerikanët e kanë një standard të mbrojtjes së privatësisë, në përgjithësi, të qytetarëve. Ajo nënkupton që qytetari ka të drejtë të mos jetë “i treguar në dritë të keqe” në bazë të të dhënave të pavërteta. Kur shtrohet çështja për personalitetet publike, atëherë shkalla e mbrojtjes është ndjeshëm më e vogël dhe sipas praktikës gjyqësore amerikane, duhet provuar jo vetëm që dikush ka dhënë të dhëna të rreme, por edhe që e ka ditur që janë të rreme dhe megjithatë i ka publikuar, madje edhe që e ka pasur qëllimin e keq.
Në Mal të Zi, sipas informatave që posedoj, nuk kemi pasur raste të tilla. Kodi Penal i Mali të Zi parashikon që në rast të përgjimit apo incizimit kërkohet vendimi i gjykatës. Mirëpo, nëse bëhet fjalë për figurë publike, gazetarët kanë më shumë të drejtë që të hyjnë në jetën private të politikanit, sepse ai ose ajo, duke pranuar një funksion publik, është përgjegjës para popullit për sjelljet e veta.
Këtu duhet bërë dallimi në mes të politikanëve dhe për shembull aktorëve, sepse pozitat e tyre në shoqëri janë tërësisht të ndryshme.
Le të kujtohemi shembullit kur është zbardhur që Fransua Miteran ka pasur gjatë shumë viteve dashnoren. Ajo gjë madje, pas një kohe të duhur, nuk ka qenë sekret, por kur është bërë e ditur dhe ka dalë në gazeta, që ai ia paguante banesën nga buxheti shtetëror, atëherë detajet nga kjo kauzë duhen shpjeguar dhe këtu puna e gazetarit është e pastër si loti. Kemi të bëjmë me informatë të interesit publik. Domethënë, cilado informatë me karakter të interesit publik mund të jetë e publikuar, pa frikë që gazetari mund të pësojë çfarëdo pasoje.
Mirëpo, sipas ligjeve pozitive dhe praktikave gjyqësore nacionale dhe ndërkombëtare, nuk mund të ketë arsyetim kur gazetari, themi, investigon jetën e një politikani, e me të trazon privatësinë. Megjithatë, nëse ai politikan nuk i paguan tatimet ose punon me ndonjë punë ilegale të abuzimit me detyrën, populli ka të drejtë që ta dijë.
Një shembull tjetër ilustrues është edhe situata kur një gazetar francez i një gazete prestigjioze ka publikuar informatën që ministri i Ekonomisë së Francës jeton në sheshin “Elize”, në një banesë prej 900 metrash katrorë, për të cilën shteti paguan 14000 euro. Ndonëse, gati në të gjitha shtetet, funksionarëve u paguhen banesat dhe kjo do të duhej që të ishte informatë e cila frikshëm depërton në privatësinë e ministrit të Ekonomisë. Mirëpo, kur merret parasysh fakti që vetëm para një jave, para publikimit të atij artikulli, zotëria në fjalë u ka thënë francezëve që të kursejnë se janë në prag të krizës ekonomike, luksi i tij në qendër të Parisit nuk ka arsyetim. Edhe pse ka qenë i paditur gazetari, akuza ka qenë e refuzuar.
Kur është në pyetje zbulimi i shkrimeve dhe të dhënave sekrete të organeve shtetërore, gazetarët nuk do të duhej të hyjnë në ato lloj investigimesh. Sepse në këto raste shteti duhet dhe ka të drejtë të mbrojë privatësinë e vet.
Sipas provave materiale në rastin “Fiks Fare” përkundrejt ish- ministrit Ylli Pango, duhet vlerësuar që në rastin konkret a janë përmbushur kushtet e vërtetësisë, interesit publik, informatës së saktë dhe ndërlidhshmëria me kryerjen e detyrës publike, para se të jepet një vendim gjyqësor.
Duke respektuar profesionin dhe ligjin nuk do jap ndonjë koment për vendimin gjyqësor në fjalë, sepse vendimet e tilla nuk komentohen por sipas procedurës së Kodit Civil ankimohen, por megjithatë, dua që lexuesit, në bazë edhe të këtij shpjegimi, të japin gjykimin e vet.
/gazeta shqip/
Angjell Gojçaj
Doktor i shkencave juridike, hulumtues i të drejtave të njeriut në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen e Minoriteteve në Mal të Zi