Ulqini shënoi 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës

Në prani të autoriteteve vendore , ministrave e deputetëve shqiptarë, përfaqësuesve të klerit dhe të institucioneve kulturore e arsimore në Ulqin u shënua 100-vjetori i së Nënë Terezës, me ç’rast u vlerësua lart figura e nobelistes shqiptare . Ky përvjetor u organizua nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë- Bibliotekën e Ulqinit. Pas fjalës përshëndetëse të moderatoes së kësaj veprimtarie, Ardita Rama, në emër të Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, prim.dr. Gani Karamanaga falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje. Referuesi i parë i kësaj mbrëmje dr. dom Nikë Ukgjini në fillim të fjalës së tij tha se Nëna Terezë si njeri krijesë e veçantë e konceptit universal, e cila me punën e pashoqe vetëmohuese si një nxënëse e Jezu Krishtit, në veprën e vet të pavdekshme, u bë Fjalë e jetësuar e Hyjit. “ Nënë Tereza besimin në Hyjin e Biblës, nuk e kuptonte si një filozofi apo mendësi të lartë e të pakapshme të rezervuar vetëm për mendjet e lartësuara e të privilegjuara, por si një gjë krejt të thjeshtë. Nënën e Krishtit, Zojën e bekuar, vetëm të krishterët e quajnë “ Nënë hirplote”, ndërsa Nënën Terezë, e cila aq bukur i është lutur kësaj Nënë Hyjnore, të gjitha kombet e nderojnë për Nënë të botës, duke u gjunjëzuar me nderim, para veprës së saj të pavdekshme. Për prijësit tanë, për mendësinë e ngritur shqiptare dhe kishën e krishterë Nëna Terezë është gurë drite që inspiron afirmim shpirtëror të shqiptarëve të ndarë. Ajo është jo vetëm Fjalë e jetësuar e Hyjit, apostull I paqes, por edhe rilindëse bashkëkohore kombëtare”, tha Ukgjini.

Mr. Haxhi Shabani u shpreh se kjo humaniste shqiptare e vogël dhe e kërrusur gëzimin e jetën, dashurinë e bukurinë qysh në gjallje ua kishte dhuruar të tjerëve dhe shtoi se ajo kishte braktisur mendësinë ballkanike dhe ishte vënë tashmë në shërbim të njeriut,
pa marrë parasysh çfarëdo përkatësi të tij. “Bota, megjithëse e ftohtë kishte ditur ta vlerësojë, sepse kishin gjetur te ajo të pamundurën, flijimin në këtë jetë, që njëmijë e një e pohojnë, por vetëm ajo e kishte e bërë. Ajo këtë mesazh në mënyrë të vetme si një dhe e pashoqe ia kishte dhënë botës. Kurse shqiptarëve u kishte dhënë një mesazh tjetër, edhe pse në formë të tërthortë. Kosova, duhet të bëjë flijimin e saj për të arritur synimin sublim, lirinë, gjithë kombi shqiptar duhet kthyer kah vlerat njerëzore. Dhe ky synim ishte realizuar, mbase edhe pse po ndreqej një nga padrejtësitë më të mëdha që ishin bërë ndaj një kombi evropian, u ndreq me pavarësinë e Kosovës, në fillimin e këtij shekulli.
Nga pavdekësia e shenjëtërisë së saj, sot Nënë Tereza shqiptarëve grindavecë dhe Evropës së ngopur me vetën e saj i jep edhe mesazhin se lumturia nuk vjen nga lumturia ime, po nga lumturia e tjetrit” nënvizoi Shabani.

Publicisti Gjekë Gjonaj trajtoi misionin e dashurisë njerëzore të Nënë Terezës, një gruaje të thjeshtë e cila, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, vendosi të jetojë në mes të varfërisë së skajshme. “Kjo figurë me karakter universal dhe ikonë unikale e humanizmit dhe paqes në botë, e rritur në një familje shqiptare me tradita dhe dashuri ndaj të varfërve në të gjithë jetën e saj u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm tek Zoti, vlerat e dashuria njerëzore. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut, sesa ajo, me veprimtarinë dhe virtytet e saj, duke u bërë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.
Kjo grua trup imët por shpirtmadhe arriti të shndërrohet në emblemën e humanizmit në botë, në njeriun që solli dashurinë e Zotit tek të varfrit, tek të pamundurit, tek të sëmurët, tek të gjithë ata që vuajnë nga mungesa e dashurisë, kujdesit dhe fatkeqësitë e tjera të jetës. Ulqini është i nderuar dhe i privilegjuar, që në prehërin e tij mbanë shtatoren e shënjtëreshës shqiptare – Nënës Terezë, e cila i jep hijeshi, Kjo grua trup imët por shpirtmadhe arriti të shndërrohet në emblemën e humanizmit në botë, në njeriun që solli dashurinë e Zotit tek të varfrit, tek të pamundurit, tek të sëmurët, tek të gjithë ata që vuajnë nga mungesa e dashurisë, kujdesit dhe fatkeqësitë e tjera të jetës,mirësi, rrezatim e dashuri këtij qyteti të lashtë mbi 2500 vjeçarë. Realizimi i kësaj vepre madhështore pranë Shtëpisë së Shëndetit, që na zbardhë faqen para të gjithë popujve, ishte një konkretizim i bashkëpunimit të Shoqatës “ Dom Gjon Buzuku” me autoritetet e pushtetit vendor, Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi dhe të diasporës shqiptare të Amerikës. Shoqata “ Dom Gjon Buzuku” në bashkëveprim me emigrantët tanë në Shtete të Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që Ulqinit t’i dhurojnë edhe truporen e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Dhashtë Zoti që pjesë e gëzimit tonë të përbashkët në Ulqin në një të ardhme jo të largët të jetë përurimi i bustit të Gjergj Kastriotit” , theksoi Gjonaj.

Gjekë Gjonaj, Ulqin

KOMENTOJE