Kuvendi i Ulqinit, dy ditë para skadimit të afatit ligjor, ka verifikuar mandatet e 33 këshilltarëve, aq sa ka ky institucion legjislativ vendor, por ky akt nuk e ka zgjidhur çështjen e themelimit të qeverisjes vendore, meqë ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje koalicioni për të ushtruar pushtetin vendor në katër vitet e ardhshme.
Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, të cilin e përbëjnë Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Milo Gjukanoviq dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i ministrit të Pakicave, Ferhat Dinosha, në zgjedhjet lokale të 23 majit, ka siguruar 14 mandate, por për ta siguruar shumicën i nevojiten edhe 3 këshilltarë.
Përfaqësuesit e këtij grupimi politik menjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të majit, kanë deklaruar se bashkëqeverisjen do ta vazhdojnë me dy partnerët tjerë nga mandati i kaluar, Partinë e Prosperitetit Demokratik dhe Partinë Socialdemokratike /PSD/
Por, PSD, në këto zgjedhje ka dyfishuar numrin e këshilltarëve dhe kërkon pushtet më shumë. Kjo parti në njëfarë mënyre edhe po konsiderohet “çelësi” i themelimit të qeverisjes së re lokale, e cila ka kërkuar ofertën me shkrim, ndërkaq koalicioni “Për Ulqinin evropian” ngurron ta bëjë këtë.
Blloku opozitar që kryesohet nga Forca e Re Demokratike, e cila ka fituar 11 këshilltarë që është edhe partia më e madhe politike nacionale në Ulqin, së bashku me Lidhjen Demokratike dhe Perspektivën, nuk kanë numrin e duhur të këshilltarëve për të themeluar shumicën. PSD nuk i është përgjigjur Forcës në ofertën e bërë, ndërsa koalicioni i partive serbe nuk i bashkohet asnjërit krah që të bëhet qeverisja lokale.
Kryesuesi i seancës konstituive, pas verifikimit të mandatit të këshilltarëve, nuk caktoi asnjë datë se kur do të mund të vazhdojë ajo për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit dhe atë të Komunës. /Koha Net/