Greqia i është dorëzuar krizës ekonomike dhe ka vendosur të bëjë atë që nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mend: të shesë ishujt. Sipas “Guardianit” të Londrës, Athina është gati të nxjerrë në treg disa nga ishujt e saj më të bukur të Detit Mesdhe. Disa të tjera mund të jepen me qira për periudha të gjata kohore.
E gjithë kjo bëhet për të paguar borxhet e mëdha që ky vend ka marrë muajt e fundit nga BE-ja dhe FMN-ja për të evituar kolapsin ekonomik.
E përditshmja britanike pohon se edhe një zonë në ishullin Mykonos, destinacioni kryesor turistik grek, do të nxirret në shitje. Ky territor, pronë e qeverisë, do t’i jepet një magnati të huaj, i cili është gati të investojë miliona euro për ndërtimin e një resorti turistik super luksoz.
Pjesë të tjera të territorit gjenden në Rodi dhe mund të blihen nga rusë e kinezë.
Edhe Roman Abramovich, pronari i Chelseat, është i gatshëm për të blerë një nga ishujt grek, edhe pse një nga zëdhënësit e tij e ka përgënjeshtruar këtë lajm. /NOA/