Kujdes vëllezër se kombin e kemi në rrezik

“Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët “ e ka thënë dikur mençur Faik Konca. Unë po e them tani “Ruaje Zot kombin tonë nga ata që po duan të tregohen më krisht se Jezu Krishti dhe më Muhamed se Hasreti Muhamedi. Po lexoj në shumë media dhe është për t’u tmerruar. Një kohë në disa media çdofarë idiotësh u munduan ta alarmojnë botën se në Kosovë dikush po i djegë me shtëpi e çka kanë të gjithë ata që janë konvertuar në besimin katolik dhe unë i gjori vrapova të shoh se si e kanë djegur një Marin Kelmendin, këtë kolegun tim të gazetarisë, që ishte Ibrahim e bë Marin. E gjeta shëndosh e mirë e duke pirë kafe. “As edhe një fjalë të keqe kush nuk ma ka thënë prej se u bëra Marin” , më tha ai. Ika me ca shokë dhe shkova drejt Rugovës ta shoh se a e kanë djegur Kishën shqiptare katolike që është ngritur mes fshatrave të Rugovës, në të cilën për momentin nuk është as edhe nj i besimit të krishterë, dhe shikuam bashkë. Kisha ishte në vendin e saj dhe nuk po i mungonte as edhe një tjegull. Ky ishte realiteti deri sot. E çka do të ngjaj nesër e tutje nuk po i dihet sepse kanë ngritur kokë ata që duan të jenë më Krisht se Jezu Krishti e më Muhamed se Hazreti Muhameti. Publikisht dalin dhe shajnë e fyejnë tjetrin pse është në një besim tjetër. Dalin në Kosovë dhjetëra OJQ që ishin formuar pas luftës , jo në dobi të shqiptarëve të Kosovës, po për të rrëmbyer mijëra e mijëra euro e për të punuar në zhdukjen në paqe të shqiptarizmës. Ata tani janë ngritur ë mbrojtje të kërkesës për shamitë nëpër shkolla. Kuku për kombin tonë. Në anën tjerr ca të besimit katolik i shohin vëllezërit e tyre të besimit islam si armiq dhe shumë të rrezikshëm dhe e matin atdhetarizmin me sasinë sa je i krishterë apo sa je myslimanë. Kuku për kombin tonë se çfarë po i përgatitet. Këto biseda e tema të ndyra nuk janë lejuar të ngriten as në shekujt e kaluar. Atdhetarët dhe penat e dalluara shqiptare ishin bërë bashkë , si të besimit të krishterë dhe si ata të besimit islamë në mbrojtje të Shqipërisë, trojeve , gjuhës së përbashkët dhe flamurit. E sot dalin do pseudo fetarë e do analfabetë që e duan pushtimin dhe pushtuesin dhe që punojnë për të dërguar ujë në mullirin e armikut dhe bëjnë gara publikisht se kush është më shqiptar e kush më tradhtar.

Ata e dinë mirë se për kë po punojnë, por le ta dinë se janë kundër kombit dhe atdheut. Ata e dinë mirë se kombi ynë është në rrezik e jo as besimi i krishterë e as ai mysliman. As të krishterët kush nuk i ka ndalur ndonjëherë të shkojnë në kishtë e të bëjnë meshë e as këta myslimanët e fortë as kush nuk i ka ndalur e as nuk i ndal që me shami ,e pa t , të shkojnë në xhami e të luten e të bëjnë namaz. Por, të mos harrojnë se armiku e pushtuesi serb e malazez po na ndal të hapim faqet e bukura të abetares e të historisë sonë në shkollat atje. Pushtuesi në trojet e administruara nga Mali i Zi e Serbia po ndal ngritjen e flamurit kombëtar duke ia mohuar valimin e lirë. Këta pushtues po asimilojnë në heshtje kombin tonë ose po ua nxijnë jetën njerëzve atje për t’i detyruar të ikin të t’i zbrazin trojet stërgjyshore. Fenë e besimin nuk po ua nguc për momentin as Podgorica e as Beogradi, por nesër nuk do të thotë se do të mbetet kështu. “Pa vatan nuk ka dinë as iman” , kanë thënë pleqtë e fortë e burra të Kosovës në shekujt e kaluar, të cilët për nga besimi ishin myslimanë, por për nga kombi ishin shqiptarë dhe këtë , edhe pse nuk kishin as dy ditë shkollë, e kishin vënë në rend të parë. Çka ishte Kastrioti, Idriz Seferi , Jakup Feri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Hoxhë Tahsini, Gjergj Fishta, Bajo e Qerqiz Topulli, Naum Veqilargji , Papa Kristo Negovani, Teodor Kavalioti, Naimi, Çajupi?

Çka ishin? Ishin shqiptarë të besimeve të ndryshme, por kombin, gjuhën shqipe dhe atdheun e kanë dashur më shumë se jetën e tyre dhe kurrë nuk kanë bërë gara se cili është më shumë i krishterë e kush më shumë myslimanë dhe e mbrojtën ndër shekuj gjuhën tonë, që erdhi e ruajtur deri te ne. Po të vepronin si disa që ndjehen më Krisht se Jezu Krishti e si disa të tjerë që ndjehen më Muhamed se Hazreti MUhameti atëherë në këtë shekullin tonë për kombin shqiptar do të flitej se na ishte dikur në atë apo këtë pjesë të Ballkanit.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE