Shqiptarët në Mal të Zi duan mandate të garantuara në Parlament

Partitë nacionale shqiptare në Malin e Zi edhe sot e gjithë ditën mendojnë se modeli i tyre i përfaqësimit autentik të pakicave në Parlament është zgjidhja e vetme dhe më e mirë. Nga këto qëndrime thonë se nuk do të heqin dorë as në punën e ardhshme të grupit punues për harmonizimin e legjislaturës së re zgjedhore me Kushtetutën.

Kështu shprehet kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi /LD në MZ/, Mehmet Bardhi, deputet i kësaj partie në Kuvendin e Malit të Zi. Ai thotë se qëndrimi i partive politike shqiptare që nga fillimi ka qenë shumë i qartë, të mbesin në fuqi zgjidhjet ekzistuese, sipas të cilave shqiptarët kanë të drejtë në mandatet e garantuara, si dhe mbetja e konceptit të ekzistimit të vendeve të posaçme zgjedhore.

“Ne, kaherë e kemi kumtuar qëndrimin tonë lidhur me realizimin e të drejtave të shqiptarëve si popull autokton në Mal të Zi, konkretisht në pjesën e përfaqësimit politik. Mendojmë se vetëm zgjidhja që propozojmë ne është e drejtë. Propozimet tjera, në fakt, do të thotë shmangie për të realizuar të drejtat e shqiptarëve“, citon KosovaLive Bardhin.

Ai shton se disa individë në skenën politike “po shesin mend”, duke u përpjekur të sigurojnë shumicën e dy të tretave. Arritja e kësaj mase, nuk do të thotë se, sipas automatizmit ndonjë çështje zgjidhjet në mënyrë të drejtë.

“Me monopol edhe me makinerinë e gishtërinjve nuk zgjidhen të drejtat nacionale. Duhet arsye, gatishmëri për marrëveshje që të gjejmë koncensusin politik, në mënyrë që problemet të mos mbesin të pazgjidhur”, tërheq vërejtjen ky deputet shqiptar, politikani më i vjetër shqiptar në Malin e Zi.

Bardhi ka nënvizuar se shqiptarët nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç se të kenë përfaqësuesit e tyre autentikë në Parlament.

“Shqiptarët të zgjedhin kend të duan, topall apo i verbër, por të mos jetë sipas diktatit të partisë në pushtet”, porosit lideri i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.

Grupi punues për hartimin e legjislaturës së re zgjedhore, javën e ardhme vazhdon punën. Koordinatori i kësaj trupe, Miodrag Vukoviq, funksionar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit ka shpreh optimizëm se do të mund të përfundojë me sukses harmonizimi deri në fund të këtij muaji. Afati i këtij procesi është fundi i këtij viti, por deri më tash tre afate kanë dështuar. /Koha Ditore/

KOMENTOJE