Dyshime për varrezë masive në Mal të Zi

Autoritetet në Mal të Zi kanë filluar hetimet lidhur me dyshimet se në pjesën qendrore të qytetit të Andrijevicës ndodhet një varrezë masive me kufoma të shqiptarëve të Kosovës. Njoftohet se në një fushë të druve, që më herët kishe shërbyer si qendër e grumbullimit të mbeturinave, tashmë janë zbuluar eshtrat e para.

Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, në kazermën e këtij qyteti ishin sjellë dhjetëra shqiptarë të Kosovës për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.

Dyshohet në një lokalitet, 70 kilometra nga Andrijevica, asokohe janë vrarë më se 20 civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Për këtë krim të luftës aktualisht po mbahet një proces gjyqësor kundër disa rezervistëve ushtarakë dhe oficerit Predrag Strugar, që ishte komandant i batalionit të ushtrisë serbo-malazeze, në rajonin e të cilit u bënë krimet.

Në një njoftim zyrtar të Prokurorisë Supreme të Malit të Zi thuhet se po zhvillohen hetime për shkak të dyshimeve se gjatë zhvillimeve luftarake në Kosovë janë bërë krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa kufomat e viktimave janë sjellë në rajonin e Andrijevicës në një varrezë masive në oborrin e repartit për përpunimin e drurit të një ndërmarrjeje private.

“Në qoftë se gjetjet dëshmohen si të sakta, do të caktohet ekzumimi i kufomave nga ekspertë të mjekësisë ligjore” ka deklaruar në Podgoricë, Biljana Coviq, zëdhënëse e Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje.

Sipas medieve malazeze, kërkimet nëse ka apo jo varrezë masive në Andrijevicë, po mbikëqyren edhe nga përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. /Telegrafi/

KOMENTOJE