GJND: Pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare

Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), japonezi Hisashi Owada, ka goditur rëndë Serbinë, duke i kumtuar opinionin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

10 nga 15 gjykatës vlerësuan se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, 4 ishin kundër, ndërsa një prej gjykatësve abstenoi.

Owada ka deklaruar se nuk ekziston asnjë nen në ligjet ndërkombëtare që ndalon shpalljen e njëanshme të pavarësisë, prandaj, siç tha ai, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Më tej gjykatësi Owada ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimeve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it, e të tjera.

Përveç tjerash, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as me Kornizën Kushtetuese të misionit të OKB-së në Kosovë.

Topi: Ngjarja e dytë e jashtëzakonshme pas 17 shkurtit 2008
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë Kosovës. Ai tha se ndihet shumë i gëzuar për këtë vendim, i cili “realisht shkoi në të drejtën legjitime të popullit të Kosovës, të institucioneve legjitime të Kosovës për ta shpallur Kosovën shtet të lirë, sovran, të pavarur”.

Presidenti shqiptar tha se dita e sotme padyshim që është ngjarja e dytë, e jashtëzakonshme, që pason shpalljen e pavarësisë së Kosovës më datën 17 shkurt të vitit 2008.

“Mund t’ju them që në tërë përvojën time nuk kam parë gjykim më profesional, më analitik, më logjik rreth një ngjarjeje që ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008”, tha Topi.

Topi tha se ky vendim, tregon përveç të tjerave që institucionet e Kosovës, populli i Kosovës, kanë qenë koherent në të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Kosovë, koherent në të gjithë vendimmarrjen ndërkombëtare.

“Dëshiroj t’ju them që kjo do të ndjekë një serial shumë intensiv njohjesh të reja për Kosovën. Deri tani Kosova është njohur nga gjashtëdhjetë e nëntë shtete. Sigurisht shtete mjaft të rëndësishme, por patjetër që vendimi i Gjykatës së Drejtësisë do të japë një diapazon të ri për shumë shtete që e prisnin këtë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kështu që para Kosovës, para popullit të Kosovës, para institucioneve të saj hapet një erë e re e njohjeve masive”.

Presidenti shqiptar tha se Kosova, por edhe shtete të tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë, patjetër që tani duhet t’u nënshtrohen një rruge tjetër – asaj të integrimit qoftë në Bashkimin Evropian, qoftë në NATO, sepse sipas tij, perspektiva e vendeve të rajonit sigurisht që është shprehur në mënyrë frekuente që patjetër është në familjen euroatlantike.

Opinioni i GJND-së – fitore për rajonin
Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si historik dhe të rëndësishëm për konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit të pavarur të Kosovës. Ai tha se askush nuk duhet të ndjehet humbës, pasi mendimi këshillëdhënës i GJND-së sipas tij është fitore për Kosovën dhe për të gjithë rajonin.

Kryeministri tha se GJND-ja vërtetoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ua hoqi dilemat edhe atyre shteteve që deri më tani kishin hezituar të njohin të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Ky vendim sipas kryeministrit ishte i drejtë, historik, ndryshe nga traktatet e shekullit të kaluar dhe padrejtësitë historike që i janë bërë popullit shqiptar të Kosovës.

Thaçi ftoi qytetarët të festojnë me dinjitet duke shtuar se vendimi i sotëm i GJND-së është nxitje për më shumë punë, për angazhim më të madh për qeverisje më të mirë, gjë që sipas tij çon drejtpërdrejt tek konsolidimi, zhvillimi dhe forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës.

GJND-ja bekoi pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka vlerësuar si të bekuar ditën e enjte, pak çaste pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinion pozitiv lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai ftoi vendet që deri sot kanë hezituar ta njohin Kosovën, ta marrin këtë vendim, i cili sipas tij vetëm sa do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidenti Sejdiu tha se GJND-ja dha opinion pozitiv për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe bekoi institucionet e Kosovës.

“Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qënë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e popullit për vetëvendosje”.

Sejdiu tha se mendimi këshillëdhënës i GJND-së i hoqi dilemat edhe të vendeve që nuk e kanë njohur deri më sot pavarësinë e Kosovën dhe u bëri thirrje që tash e tutje të mos hezitojnë.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi sot se Kosova nuk paraqet precedent, por njeh të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, për të jetuar i lirë dhe i pavarur”

Sejdiu tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar të jetë partner paqeje, e përkushtuar për zbatuar planin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe Kushtetutën e saj.

Presidenti i Kosovës e ka ftuar Serbinë që të ndryshoj politikën fqinjësore dhe t’i bashkëngjitet vizionit të vendeve të rajonit për integrim në strukturat euroatlantike.

Ai tha se vizioni i vetëm Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Sejdiu tha se Republika e Kosovës shpreh falënderim për vendet që e kanë mbështetur në rrugën e saj drejtë lirisë dhe pavarësisë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet anëtare të Bashkimit evropian dhe të gjitha vendet demokratike të botës.

Berisha: GJND-ja iu dha fund pazareve me tokat shqiptare
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një konferencë të drejtpërdrejtë për media, menjëherë pas shpalljes së opinionit rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerësoi se vendimi i sotëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është historik për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Ai tha se pavarësia ishe e njohur nga bota e lirë në tërësinë e saj, por ky vendim i GJND-së sipas tij mbetet vendim hyjnor për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët.

“Analiza ishte e kristaltë, fitorja ishte bindëse. Ishte e tillë sepse e drejta ishte në anën e shqiptareve. Madje ky vendim pritej edhe nga ato vende qe nuk e njohur Kosovën, sepse shumica e tyre kishte respekt te madh për vuajtjet dhe sakrificat që përjetuan shqiptarët e Kosovës për një shekull”.

Kryeministri Berisha falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropian për kontributin që kanë dhënë që populli i Kosovës të jetojë i lirë dhe i pavarur.

Berisha tha se Shqipëria deri tani ka bërë çdo përpjekje të mundshme për të ndikuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojë lotimin, i cili sipas tij tani do të jetë më i lehtë, “sepse vendimi GJND-së i ka dhënë mbështetjen më të fuqishme këtij procesi”.

Kryeministri Berisha tha se GJND-ja me vendimin që mori të enjten i dha fund edhe kapitullit të pazareve territoriale të tokave shqiptarëve, e në radhë të parë të Kosovës.

KOMENTOJE