Ulqinit i duhen emrat autoktonë të rrugëve dhe shesheve

Emërtimi i rrugëve dhe shesheve në Ulqin edhe sot e kësaj dite mbetet çështje e hapur. Gjykata kushtetuese malazeze, me kërkesën e një partie opozitare proserbe dy herë e ka rrëzuar vendimin e Parlamentit të Ulqinit rreth emërtimeve “shqip”, të miratuar nga Koalicioni “Shqiptarët bashkë” që në vitin 2005.
Formalisht ato emërtime të rrugëve dhe shesheve figurojnë ende dhe përdoren vetëm nga subjektet politike shqiptare e shoqëria civile.
Propozimi i avokatit podgoricas, Zoran Piperoviq, i lindur në Ulqin, që ura e re mbi Portmilenë të pagëzohet Kralj Nikola Petroviq, ka shkaktuar reagime të ndryshme të partive politike.
“Qytetarët e Ulqinit do të bënin një hap të vërtetë nëse do ta mbështesnin këtë propozim, duke e ditur se portin e ka ndërtuar pikërisht Kralj Nikolla Petroviq në kohën e Mbretërisë malazeze dhe e ka pagëzuar me emrin e bashkëshortes së tij, më vonë mbretëreshë Milenës”, shkruan në propozimin e tij avokati i njohur Piperoviq. Ai thotë se këtë iniciativë do ta dërgojë në të gjitha adresat relevante komunale dhe shtetërore.
Nënkryetari dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu thotë për KosovaLive se propozimi i dërgohet Komisionit për emërimin e rrugëve dhe shesheve për të cilin vendos Kuvendi, pasi të merren edhe mendimet e bashkësisë përkatëse vendore.
“Dihet fare mirë se Ulqini është me popullsi të përzier dhe rreth këtyre çështjeve do të hapeshin polemika , të cilat do të përçanin banorët e kësaj komune. Avokati harron se gjykata dy herë ka rrëzuar vendimin mbi emërtimin e rrugëve dhe shesheve në Ulqin”, thotë Nimanbegu, duke apostrofuar se Ulqinit i lypsen emra autoktonë.
Për shefin e socialistëve në pushtet, Luigj Shkreli, iniciativa është e arsyeshme “por emërtimi i rrugëve dhe shesheve është në kompetencat e komisionit përkatës dhe të parlamentit vendor.”
Funksionari i lartë i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Gëzim Hajdinaga nënvizon se çdokush ka të drejtë të bëjë propozime, por këtu ka edhe propozime tjera.
“Sidoqoftë, gëzon fakti se më nuk ekzistojnë dilema, do të realizohet projekti apo jo, Ulqini bëhet me iniciativën tonë, por edhe fal korrektësisë së qeverisë në këto kohë të krizës financiare, bëhemi me urë, unike në hapësirat e ish-Jugosllavisë”, shprehet Hajdinaga.
Ura aktuale mbi Portmilenë është pengesa kryesore e një turizmi më të hovshëm në këtë qytet, sepse, tash, në orët e pasdites vargu i automjeteve arrin me kilometra dhe duhet deri në 2 orë për të arritur në Ulqin nga Plazhi i Madh. Është edhe përplasja më e madhe politike lokale, sepse opozita thotë se Koalicioni “Për Ulqinin evropian” mori përkrahjen e qytetarëve meqë premtoi ndërtimin e urës, por “ajo ende është premtim në letër”. /Koha Net/

KOMENTOJE