Regjistrimi në Mal të Zi: sipas përkatësisë etnike, apo nacionale

Ligji mbi regjistrimin e popullsisë, i cili parashihet të realizohet vitin e ardhshëm, po shkakton kundërshtime të dukshme në radhët e partive politike, edhe pse më herët bashkërisht e kanë miratuar në Parlamentin malazias, njofton KosovaLive.

Kjo vërehet konkretisht mes deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) në pozitë dhe kolegëve të tyre nga Partia Popullore Socialiste (PPS) në opozitë.

Në Ligjin e miratuar nga këto dy parti, në dispozitën e parë të identitetit kombëtar figuron përkatësia etnike.

Miodrag Vukoviq, deputet i PDS dhe njeriu numër një në këtë parti mbi çështjet juridike dhe kushtetutare, përkrah kolegët socialdemokratë se Gjykata Kushtetutuese duhet të vlerësojë kushtetutshmërinë, ose ligji të rikthehet në parlament.

Vukoviq mendon se opsioni më i mirë është “përkatësia nacionale” dhe jo siç është aktualisht “përkatësia etnike”, sepse në këtë mënyrë krijohen paqartësi të mëdha.

“Kombi është komb, ai ekziston apo nuk ekziston. Një përcaktim i këtillë është i nevojshëm në Malin e Zi, sepse keqpërdorimet me nocionin ‘përkatësia etnike’ janë shumë të mundshme dhe përsëri do të politizonte regjistrimin, duke krijuar paqartësi ‘kush është më i madh apo kush është më i vogël?’”

“Dispozita ‘përkatësia etnike’ është konform standardeve ndërkombëtare,” thotë, ndërkaq, deputeti dhe funksionari i lartë i PPS opozitare proserbe, Velizar Kalugjeroviq, i cili është i bindur se regjistrimi i popullsisë vitin e ardhshëm në Malin e Zi do të zhvillohet sipas ligjit ekzistues.

Lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, ministër mbi të drejtat e njeriut dhe pakicave në qeverinë e Malit të Zi, thotë se sido që të jetë, shqiptarët që më kohë kanë deklaruar se janë pakicë kombëtare në Malin e Zi, e jo grup etnik. /Koha Net/

KOMENTOJE

Furra Tahiri