100 vitet pas lindjes së Nënë Terezës

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar dhe luti Zotin që paqa dhe dashnija e tij të jetë në zemrat tona në çdo familje” – Nënë Tereza

Do të ishte pikërisht shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, njeriu që do t’i jepte një tjetër pamje historisë së njerëzimit përgjatë shekullit XX.

Kudo e njohur si Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu arriti që brenda epokës në të cilën jetoi, humanizmin ta shndërronte në një armë të fuqishme të paqes dhe besimit. Mesazhi që ajo me veprën dhe përkushtimin e saj për njeriun i përcolli botës, e kapërcen kornizën e kohës në të cilën jetoi, pasi misioni që kjo grua ndërmori përgjatë jetës së saj, iu kushtua tërësisht mendjes dhe shpirtit njerëzor, përtej çdo sistemi, përtej çdo epoke.

Kjo grua e mbrujtur me virtytet dhe temparamentin shqiptar, në rrugëtimit që ndërmori përgjatë gjithë jetës së saj, dhe dashurisë që përcolli ndër gjenerata të tëra, nuk i përket më thjesht kujtesës, kulturës dhe ndërgjegjes së bashkëkombësve të saj, por ajo është shndërruar në ikonë paqeje dhe dashurie për mbarë njerëzimin.

Me forcën, mirësinë dhe besimin që karakterizonin shpirtin e saj, ajo mundi t’i japë emrin e saj shekullit të njëzetë, dhe kjo është veti e njerëzve të mëdhenj, pasi ata shndërrohen në zërin dhe shpirtin e epokës ku jetojnë.

Dhe ndërsa ngjarjet e mëdha historike përplaseshin mes njëra-tjetrës, ndërsa gjysma e globit u kundërvu ndaj gjysmës tjetër, ndërsa njeriu humbi besimin përballë tmerreve të luftërave botërore, kjo grua “e vogël” jo, pa mëdyshjen më të vogël, ia doli të bëj bashkë mbarë njerëzimin sepse në themel të besimit të vet ajo vuri dashurinë për njeriun, përtej çdo race, besimi, ideologjie.

Nënë Tereza i dha kuptim emancipimit të mbarë shoqërisë së sotme, duke i gdhendur imazhit të këtij zhvillimi trajtat e njerëzores. Ajo hyri mes lebrozëve pa u prekur nga sëmundja, mes të përbuzurve të varfërve pa pyetur kurrë për format e besimit, kombësitë apo ngjyrën. Ajo e mbështolli njeriun me mantelin e humanizmit, duke u shndërruar në ikonë për të gjithë globin.

Më 26 gusht 2010 ajo do të festonte 100 vjetorin e lindjes. Në zemrat e shqiptarëve të cilët ashtu si në të gjithë botën që kërkojnë ta mbajnë të gjallë kujtimin e saj, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Sali Berisha, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës organizoi një sërë aktivitetesh.

Pati shfaqje të filmave dokumentarë kushtuar Nënë Terezës, në ambientet e Taiwanit dhe mbrapa sheshit të Muzeut Historik dhe Kombëtar.

Gjithashtu u hap ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar me foto dhe objekte të Nënë Terezës, kushtuar jetës dhe veprës së saj.

Nuk mund të mungonte koncerti jubilar dhe prestigjioz i Teatrit të Operas dhe Baletit nën dirigjimin e Zhani Cikos si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të aktores Roza Anagnosti. Eva Golemi, Shpresa Beka, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj që ishin pjesë e këtij koncerti.

Surpriza e koncertit ishin dy lutje tradicionale indiane nga grupi Debapriya Adhikary nga Kalkuta ku sollën pranë publikut emocionet e tokës ku Nënë Tereza mbylli jetën e saj.

Në këtë koncert jubilar ishin të pranishëm personalitet më të mëdha të qeverisë shqiptare, ambasadorët e të gjitha shteteve, artistë të njohur etj

Nuk mund të mos ishte i pranishëm Kryeministri Republikës së Shqipërisë Sali Berisha ku ishte dhe iniciatori i të gjitha aktiviteteve që mbështeti MTKRS.

Sot kur kanë kaluar njëqind vjet nga lindja e kësaj gruaje, ku politika dhe mbarë shoqëria pa dallim kombësie, pikëpamjesh, gjinie apo race, e konsiderojnë paqen dhe besimin si kodin e ekzistencës dhe harmonisë njerëzore, le të mendojmë për një çast, se si do të ishte bota pa Nënë Terezën, pa kurajën, besimin, shpirtin dhe mendësinë e kombit që ajo përfaqësonte, komb i cili i ka qenë dhe mbetet bashkudhëtar i denjë i historisë dhe kulturës botërore që nga zanafilla e saj e deri në ditët e sotme.

Gonxhja shqiptare e shndërroi trupin dhe shpirtin e saj në provë të pamundur të përkushtimit njerëzor, gjuhën e saj në fjalët më të lartësuara të dashurisë njerëzore, pasi sipas saj, dashuria është sekreti i misterit të njeriut, dashuria është rruga e shpëtimit të tij.

“Kujtoni se Zoti ka krijuar secilin prej nesh për gjëra të mëdha? Të duam dhe të na duan, ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë vuajtje nuk mund ta largojë prej nesh. Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë është vëllai im, motra ime dhe unë duhet t’i dua gjithsecilin, ashtu si Zoti na do të gjithëve… Nëna po lutet shumë për të gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhimbje, në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit” – Nënë Tereza /NOA/

KOMENTOJE

VOA – http://www.youtube.com/watch?v=kwLMabkXG4A