Republika e Hondurasit ka njohur sot zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Vendimi për njohjen e Kosovës i është kumtuar sot Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni nga Ministri i Jashtëm i Republikës së Hondurasit, Mario Canahuati.
“Ministri Hyseni dhe Ministri Canahuati gjatë një bisede të gjatë dhe të përzemërt telefonike u pajtuan gjithashtu që menjëherë të fillojnë procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme.
“Duke e falënderuar në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ministri Hyseni theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim dhe marrëdhënie të ngushta me këtë vend.
Ndërkaq, Ministri Canahuati theksoi se Hondurasi është i vendosur që ta përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha rrafshet dhe institucionet ndërkombëtare si një vend mik me të cilin ka vendosur të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme miqësore dhe diplomatike”, vazhdon komunikata.
Honduras është vendi i 70’të që njeh pavarësinë e Kosovës dhe njëherësh është shteti i parë që e merr këtë vendim pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit të pavarësisë. /Shekulli/