Inaugurohet Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë

Kreu i Kishës katolike në Kosovë Imzot Dodë Gjergji tha me këtë rast se qëllimi i vetëm i katedrales është drejtimi i njerëzve kah Zoti, në forcim të shtetit, paqes dhe tolerancës.

Kreu i vendit Fatmir Sejdiu, duke cituar ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugovën, tha se Katedralja do të jetë në shërbim të paqes dhe bashkimit mes shqiptareve .

Ndërsa i deleguar special i Vatikanit, Imzot Zef Gashi duke folur në nderim të humanistes shqiptare, tha se përurimi është një ngjarje e madhe shpirtërore për shqiptarët.

Hapja solemne e dyerve të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është shoqëruar edhe me aktivitete tjera në nderim të Nënës Terezë, që është shpallur personaliteti i shekullit XX.

Në ceremoninë inauguruese të Katedrales morën pjesë edhe zyrtarë tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë, përfaqësues të subjekteve politike e fetare.

Katedralja “Nëna Terezë” në Prishtinë është ndërtuar sipas konceptit që kanë dhënë dy ideatorët kryesor të saj, ish presidenti Ibrahim Rugova dhe ish Ipeshkvi, imzot Mark Sopi. Si arkitekturë ajo i takon stilit neo-romanik të shekullit të XVI, ndërsa është projektuar nga Shoqata e arkitektëve të Romës.

Gur-themeli i saj u vendos më 26 gusht 2005 , nga Presidenti Rugova dhe Ipeshkvi Mark Sopi, në vitin e lumturimit të Nënës Terezë. Ndërtimi filloi më 5 shtator 2007. /RTK/


Katedralja – tempull fetar, kulturor e kombëtar

Në Katedralen e sapondërtuar në Prishtinë, e cila mban emrin e Nënë Terezës, është mbajtur të shtunën manifestimi i parë, me një koncert të Filarmonisë së Kosovës kushtuar 100-vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare.

Në ceremoni ka qenë i pranishëm presidenti Fatmir Sejdiu, i cili Nënën Terezë e ka quajtur simbol të tolerancës dhe humanizmit, ndërsa Katedralen e re – një tempull nacional, fetar, kulturor e shpirtëror. Mesha e parë solemne në këtë katedrale do të mbahet të dielën.

“Ndërtimi i Katedrales ‘Nëna Terezë’ do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe mirëkuptimit, siç ishte edhe filozofia dhe vepra e Nënë Terezës dhe popullit tonë – pra, citoj, do të jetë qendër e rëndësishme fetare, kulturore e kombëtare dhe simbol i dritës më të madhe, i besimit në Zotin dhe në të mirën”, është shprehur Sejdiu përpara të ftuarve, duke lavdëruar popullin shqiptar për tolerancën ndërfetare.

“Vetë shqiptarët e Kosovës, të cilët u përkasin besimeve të ndryshme, janë shembull i mrekullueshëm i harmonisë dhe i dashurisë me njëri-tjetrin dhe me të tjerët, pavarësisht se gjatë historisë morën përkatësi të ndryshme fetare. Ky argument dëshmon madhështinë e këtij populli, i cili ndonëse kaloi shumë kalvare vuajtjesh apokaliptike, asnjëherë nuk pati ndjenjë mosdurimi ndaj të tjerëve”. /Telegrafi/

KOMENTOJE