Logu tradicional i Vitojës

Ruajtje e trashëgimisë dhe vlerave shekullore

Malësi – Në Vitojë të Malësisë u mbajt Logu tradicional i Hotit, që organizohet me rastin e festës së “Shën Gjonit”. Ashtu si dhe viteve të tjera, edhe këtë vit në këtë log të madh ku takohen njerëzit mes veti, ishin të pranishëm banorë nga Malësia, mysafirë nga Shqipëria, si dhe mërgimtarë nga SHBA, Evropa, Australia dhe vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë malësorët.
Të pranishmit, numri i të cilëve vlerësohet të ketë qenë mbi dy mijë vetë, përveç se shijuan ujin e Kroit të Vitojës dhe peizazhet e bukura natyrore që ofron kjo trevë, ndoqën programin e pasur kulturor – zbavitës me këngëtarin Lekë Dedvukaj dhe SHKA “Rapsha” nga Hoti, që kishte përgatitur organizatori.
Logu është tubim i qytetarëve që është trashëguar nga lashtësia jonë, si vendtakim i malit, fshatit apo fisit. Në këto tubime njërëzit janë takuar, kanë biseduar dhe njohur mes veti. Po ashtu ata kanë trajtuar shumë çëshjte jetike për banorët e trevës. Me kalimin e kohës nga karakteri funksional sot logu ka karakter simbolik dhe tradicional, me anë të të cilit ruhen dhe trashëgohen vlerat që malësorët i kanë kultivuar me shekuj.
Të gjitha malet e Malësisë i kanë Logjet e veta dhe ato mbahen për çdo vit. /Koha Javore – M. Gj./

FOTOGRAFITË KOMENTOJE