Fillojnë punimet në realizimin e projekteve me rëndësi për banorët e Malësisë

Punohet njëkohësisht në disa projekte

Në fillim të muajit të gushtit, kanë filluar me intensitet punimet për realizimin e projekteve me rëndësi për banorët e Malësisë.
Kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj, shprehet se ka filluar ndërtimi i rrjetit primar të ujësjellësit në aksin Vuksanlekaj – Sukruq – Kodërbudan. “Dinamika e realizimit të punimeve në projektet e furnizimit me ujë të pijshëm në Malësi është duke ecur me shpejtësinë e planifikuar. Për momentin është duke u punuar në hapjen e kanalit i cili do të ketë gjatësinë 7.5 km, me ç’rast do të përfshihen rreth 210 amvisëri. Punimet i kryen ndërmarrja “Infoplant” nga Nikshiqi. Punimet në ujësjellësin primar do të kryhen deri në fund të muajit tetor të këtij viti”, thotë ai.
Sipërmarja ”Ujësjellësi dhe kanalizimi” në trevën e Malësisë jugore, përpos aksit të përmendur Vuksanlekaj – Sukruq – Kodërbudan, ka përfunduar edhe projektet kryesore të rrjetit primar të ujësjellësit për akset e tjera, si për aksin e ujësjellësit për vendbanimin Vranë në gjatësi prej rreth 7700 m, i cili përfshin 309 amvisëri, për aksin e ujësjellësit për vendbanimin Vllanë në gjatësi prej rreth 4714 m, i cili përfshin 160 amvisëri, për projektin e rrjetit primar të ujësjellësit në drejtim të vendbanimeve Vuksanlekaj – Dreshaj – Nënhelm në gjatësi prej rreth 7100 m është bërë inçizimi gjeodezik dhe është planifikuar që projekti të përfundohet gjatë muajit tetor të këtij viti. Me këtë projekt do të përfshihen rreth 120 amvisëri.
Me këto projekte është parashikuar furnizimi me ujë i amvisërive që gjenden përgjatë rrjetit primar, e si rezultat i realizimit të tyre, për pjesën më të madhe të amvisërive nga këto treva do të krijohen kushtet për kyçjen në rrjetin e ujësjellësit.
Kryetari Gegaj thekson se punimet janë në vijim e sipër në rezervuarin në malin e Lekajve me tubacionin shtytës të cilat intensifikohen në orët e pasdites dhe të mbrëmjes kur bëhet betonimi.
“Në këtë drejtim duhet cekur se ia kanë filluar edhe punimet në rrugën për qasje këtij objekti. Kanë përfunduar punimet në betonimin e pllakës së poshtme të rezervuarit dhe të mbyllëses.
Në vijim janë punimet në hapjen e kanalit për ujësjellësin. Pritet që punimet të pëfundojnë pas një muaji. Punimet i kryen konsorciumi “PNP Perosheviq sh.p.k.” dhe “Aleksiq sh.p.k.”, investitor është Kryeqyteti Podgorica dhe Agjencioni për Ndërtimin dhe Zhvillimin e Podgoricës”, thotë Gegaj.
Agjencioni për Ndërtimin dhe Zhvillimin e Podgoricës ka shpallur po ashtu tenderin për përzgjedhjen e ofertës më të volitshme për hartimin e studimit lokal të lokalitetit të tregut në Tuz, me hartimin e bazës gjeodezike në pjesën e planit. Vlera e këtij prokurimi kap shumën 15 mijë euro dhe me dokumentin planifikues përfshihet trualli në sipërfaqe prej 2.29 hektarësh.
Përpos Vendimit mbi hartimin e studimit lokal të lokalitetit, të cilin e ka sjellë Kryebashkiaku, sekretarja për Planifikim, rregullim hapësinor dhe mbrojtje të ambientit jetësor, Nada Mugosha, ka sjellë Vendimin mbi mosndërmarrjen e vlerësimit strategjik të ndikimit në ambientin jetësor për këtë projekt. Vendimi mbi hartimin e këtij dokumenti planifikues do të thotë se janë duke u ndërmarrë aktivitetet gjegjëse me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e tregut të gjelbër me qendrën tregtare.
Sipas kryetarit Nikollë Gegaj, Komuna Urbane e Tuzit ka një bashkëpunim korrekt me Agjencionin për Ndërtim dhe Zhvillim të Podgoricës dhe NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”. /Koha Javore – M. Gj./

KOMENTOJE