Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dha dorëheqje

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu gjatë një konference për media njoftoi opinionin kosovarë se jep dorëheqje nga posti i presidentit të shtetit, ndërsa me këtë akt tha se konfirmon që është institucionalist dhe respekton vendimet e organeve të drejtësisë të vendit.

Në një konferencë për media, Sejdiu iu drejtua qytetarëve të vendit dhe me këtë rast vlerësoi se tërë jetën e tij ka respektuar institucionet e Kosovës dhe është udhëhequr nga parimet etike.

Sejdiu theksoi se ende nuk i është dorëzuar aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo sipas tij akti i dorëheqjes vjen si rrjedhojë e respektimit të organeve të shtetit.

“Unë tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë. Për t’u dhënë me besim dhe devotshmëri pas këtij përcaktimi jetësor e profesional, gjithherë kam pasur udhërrëfyes dhe mbështetje të fuqishme traditën time familjare dhe të popullit tim, si dhe të miqve të Kosovës”, tha Sejdiu.

Në këtë konferencë Sejdiu vlerësoi se gjatë gjithë punës së tij është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për të ardhmen prosperuese të vendit.

Ndryshe, në këtë rast Gjykata me shumicë votash ka deklaruar “se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88 .2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’”.

Gjykata Kushtetuese të hënën përmes një njoftimi për media bëri të ditur se Aktgjykimin e plotë të arsyetuar në rastin KI 47/10 , “Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”, palëve në procedurë do t’ua dërgojë të martën, më 28 shtator 2010 dhe se i njëjti do të publikohet në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, Fatmir Sejdiu për të dytën herë në postin e presidentit është zgjedhur në fillim të janarit 2008, me mandat pesëvjeçar. /Telegrafi/

KOMENTOJE