Parlamenti Europian miratoi heqjen e vizave për Shqipërinë

Strasburg, 7 tetor – – Parlamenti Evropian ka hedhur sot në votim dokumentin e eurodeputetes Tanja Fajon, për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.
Rezoluta e Fajon është miratuar me shumicë votash nga eurodeputetët e PE-së.

Rezoluta është miratuar me 538 vota pro, 47 kundër dhe 41 abstenim, çka përmbyll kështu edhe një votim tjetër të rëndësishëm për dy vendet ballkanike për heqjen përfundimtare të vizave afatshkurtra.

Pas miratimit të rezolutës, Fajon ka duartrokitur së bashku me shumë eurodeputetë të tjerë që kanë qenë mbështetës të kësaj nisme. Votimi i radhës dhe i fundit është ai i 8 nëntorit nga ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian.

Raporti i raportueses sllovene Fajon thekson se dy vendet i kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, ndërkohë që po bëhet progres për pjesët e mbetura të kritereve.

Dokumenti i përpiluar nga Fajon shkruan se Shqipëria ka bërë progres për arritjen e këtij qëllimi. Me gjithë kundërshtitë e disa eurodeputetëve, raporti kaloi pa ndonjë problem ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga krerët kryesor të grupimeve politike në këtë Parlament. /NEWS24/

KOMENTOJE