TIRANË- Dhjetëra të rinj shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e sotme për të protestuar para Ambasadës së Serbisë në Tiranë, pas incidentit të ndodhur mbrëmë në stadiumin e Xhenovas në Itali, ku ultrasit serbë shfaqën hapur, para gjithë botës urrejtjen për shqiptarët, duke djegur flamurin kuq e zi.
Mësohet se të rinjtë mbajnë nëpër duar sllogane me mbishkrimin “Kosova është Shqipëri”, për t’ju kundërpërgjigjur sloganit të ultrasve serbë “Kosova është Serbi”, një slogan tjetër që mbajnë në duar është “Shqipëri etnike”. Mësohet se forca të shumta policie kanë mbajtur nën vëzhgim protestuesit, të cilët kanë djegur para ambasadës edhe një flamur serb.
Ndërkohë që tifozët shqiptarë reagojnë para këtij xhesti të mbushur me urrejtje, fotot e të cilit kanë bërë tashmë xhiron e botës, nuk ka asnjë reagim zyrtar, qoftë ky i palës shqiptare, apo i asaj serbe, për të kërkuar ndjesë për këtë xhest.
Më herët ministri i Jashtëm serb, i kërkoi ndjesë Italisë, për trazirat e shkaktuara në Xhenova, ndërsa drejt Shqipërisë nuk ka asnjë reagim.
Reagimi i shqiptarëve vjen vetëm një ditë pas ndeshjes Itali-Serbi ku njerëz me precedentë penalë, ultranacionalistë serbë dhe tifozë fanatikë kanë çuar në ndërprerjen e ndeshjes dhe në akte të shumta dhune në të gjithë qytetin e Xhenovas. Ngjarja ka lënë një shije të hidhur te të gjithë shqiptarët, duke qenë se bëhej fjalë thjesht për një ndeshje futbolli.
VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=s_BCHxhcY4o
Incidenti në Itali, FSHF: Ngjarja ka fyer rëndë dinjitetin tonë
Federata Shqiptare e Futbollit reagon për incidentin e mbrëmjes së djeshme në Itali, ku ultrasit serbë dogjën flamurin shqiptar në sytë e gjithë botës.
FSHF dënon veprimet e dhunshme të sërbëve ndërsa konsideron fyerje të rëndë të identitetit të shqiptarëve djegien e flamurit kuq e zi në stadiumin e Xhenovas.
“ Shprehim shqetësim për ngjarjen e djeshme në Itali ku huliganët serbë, kryen akte të dhunshme. Djegia e flamurit shqiptar është e dënueshme. Ngjarja ka fyer rëndë dinjitetin tonë” thuhet të reagimin e Federatës ku përshendetet qëndrimi i Federatës Serbe të Futbollit në lidhje me ngjarjen e rëndë. /BalkanWeb/