Hillary Clinton sot në Kosovë

Prishtinë, 13 tetor – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, sot mbërrin në Kosovë. Ajo fillimisht do të takojë udhëheqësit më të lartë të institucioneve shtetërore dhe do të vizitojë Manastirin e Graçanicës afër Prishtinës. Në Prishtinë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur Sekretaren amerikane të Shtetit. Rrugët janë stolisur me flamuj amerikanë, të Kosovës si dhe janë vendosur posterë të mëdhenj nëpër bilborde me portretin e sekretares së Shtetit. Edhe policia thotë se janë marrë të gjitha masat për sigurinë gjatë kësaj vizite që vlerësohet me rëndësi të veçantë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Sekretarja Clinton do të takojë UD të Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqin, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e jashtëm Skënder Hyseni. Vizita e saj vlerësohet shumë e rëndësishme për shkak të rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Vizita e zonjës Clinton në Kosovë pason takimet që ajo ka zhvilluar në Sarajevë dhe Beograd me udhëheqësit më të lartë shtetërorë të këtyre dy vendeve.

Në Sarajevë, ajo u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Bosnjë që t’i përqafojnë reformat politike, të nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndërkaq, në Beograd, kryediplomatja amerikane ka kërkuar nga presidenti serb, Boris Tadiq, fillimin e bisedimeve me Kosovën.

Autoritetet e rendit në Prishtinë thonë se i kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt me rastin e kësaj vizite. Kryeqyteti i Kosovës është mbushur me fotografi të zonjës Clinton dhe është dekoruar me flamuj amerikanë e shtetëror të Kosovës.

Para 17 muajsh, më 21 maj të vitit 2009Kosovën e pati vizituar edhe nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

KOMENTOJE