Josip Kuzhe pas tmerrit: Më trajtuan aq mirë, sa u ndjeva si mbret

“Tani nuk ndjej asnjë dhimbje. Jam vetëm paksa i përgjumur për shkak se përditë pi 25 deri në 28 tableta ilaçesh”. Josip Kuzhe konfirmon se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar. Për fat, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, hemorragjia cerebrale nuk ka lënë asnjë pasojë. “Asgjë nuk është dëmtuar, asnjë pjesë e trupit apo edhe komunikimi. E kam kaluar pa pasoja këtë situatë! Pas tri javësh do të më bëjnë një tjetër kontroll dhe besoj se në atë periudhë do të jem shumë mirë. Prej së shtunës ndodhem në shtëpi: mjekët menduan se kujdesi familjar ishte gjëja më e mirë. Gjatë gjithë kohës mbaj dietë specifike ushqimore, megjithatë mund të eci, mund të qëndroj ulur, të shtrihem vetë”, tha trajneri kuqezi.

Për herë të parë, Kuzhe zbulon edhe tmerrin që ka përjetuar gjatë afro 10 ditëve. Drejtuesi i stolit të përfaqësueses tregon orët e vështira përpara dhe pas gjakderdhjes në tru, refuzimin për të shkuar në spital, ndërsa e vendos theksin te përkushtimi që gjeti në Shqipëri nga njerëzit, të cilët punonin për t’i shpëtuar jetën. Edhe pse u diagnostikua me hemorragji cerebrale më 30 shtator, kroati 57-vjeçar nënvijëzon se problemet u shfaqën katër ditë më parë. “Kisha dhimbje koke dhe isha i bindur se ishte diçka kalimtare. Mendoja se gjithçka vinte prej lodhjes dhe stresit përpara dy ndeshjeve kualifikuese të Euro 2012 me Bosnjë Hercegovinën dhe Bjellorusinë. Kjo ishte arsyeja përse nuk i kushtova shumë rëndësi gjendjes sime”, pohoi Kuzhe. “Por, të enjten (më datë 30 shtator kur u shtrua në spital), isha shumë keq. Kisha nxjerrë ushqimin, ndërsa dridhesha prej etheve. Aty e kuptova se duhej të bëja diçka, pasi isha shumë i sëmurë”.

Në të vërtetë, situatën problematike e kishte kuptuar e para bashkëshortja e tij, Vishnja. Ajo këmbënguli që tekniku të kontrollohej në spital, ndërsa e alarmuar lajmëroi për gjendjen e tij në zyrat e federatës. “Isha me fat që bashkëshortja ime ndodhej në Tiranë, sepse përndryshe unë do të kisha refuzuar çfarëdolloj kontrolli mjekësor. Në fakt, prej kohësh mjekja ime më kishte këshilluar të vizitohesha, por natyrisht që nuk kisha shkuar… Sapo shkuam në spital, më bën skaner të kokës dhe disa analiza: nuk kishte dyshime rreth asaj që vuaja. Gjatë gjithë kohës me mua ka qëndruar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, një njeri shumë human dhe i respektuar pranë FIFA-s. Ai më pyeti nëse dëshiroja një aeroplan privat, për të shkuar në Vjenë, Zagreb apo Stamboll për t’u kuruar, tha trajneri. Gjithsesi, doktor Josip Paladino nga Vjena më konfirmoi se në spitalin ku qëndroja do të kisha gjithçka më nevojitej, e për këtë arsye nuk rrezikova. Shqiptarët i mblodhën të gjithë ekspertët, të cilët u angazhuan shumë. Madje, nuk më lanë as të paguaja për kurimin. Në spital më ka vizituar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Nuk e kam menduar asnjëherë se do të më trajtonin në këtë mënyrë, njësoj sikur të isha mbret”. /Gazeta Shqip/

KOMENTOJE