“Vetëvendosje” shpalos programin, bashkim me Shqipërinë

Prishtinë, 29 tetor – Sylejman Aliu është ndodhur të premten në Prishtinë për ta adresuar një lutje tek Albin Kurti: “të prijë në rrugën e shenjtë të bashkimit kombëtar”.
Aliu, një enigmat nga Gjilani, mori pjesë në një manifestim të lëvizjes “Vetëvendosje”, që kishte organizuar për të promovuar programin politik. Aty dëgjoi se në këtë program shprehet angazhimi për heqjen e nenit 1.3 të Kushtetutës së Kosovës. Me këtë nen i ndalohet Kosovës që të bashkohet me një shtet tjetër, përkatësisht me Shqipërinë.
Kurti me ngulm e do këtë. Lëvizja “Vetëvendosje”, lider i së cilës është, angazhohet që populli i Kosovës ta ketë të drejtën e vetëvendosjes edhe në aspektin e brendshëm, e edhe në aspektin e jashtëm të saj.
“Aspekti i brendshëm i të drejtës për vetëvendosje nënkupton që ne duhet ë kemi institucione sovrane demokratike që nuk kanë instanca ekzekutive arbitrare mbi veten e tyre, që dalin nga populli dhe i japin llogari atij. Por, njëkohësisht kjo nënkupton që ne vetë duhet t’i kontrollojmë resurset tona natyrore dhe kapacitetet zhvillimore të cilat duhet të vihen në funksion të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kurti para një numri të madh aktivistësh dhe anëtarësh të “Vetëvendosjes”. “Aspekti i jashtëm i së drejtës për vetëvendosje nënkupton që Kosova duhet ta ketë të drejtën e vet për ushtri, si kapacitet mbrojtës për popullin e saj dhe Kosova duhet ta ketë të drejtën që t’i bashkohet Shqipërisë”.
Programi 100-pikësh është i mbështetur në shtyllën e shtetndërtimit dhe atë të zhvillimit ekonomik. Por, ani se është kështu, në sallën ku është promovuar ky program, nuk janë parë simbolet zyrtare (flamuri i Kosovës), me të cilat identifikohet aktualisht shteti. /Koha Net/

KOMENTOJE