Përkeqësohet liria e shtypit në Mal të Zi

Në raportin më të ri për Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2010 të Organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), Mali i Zi është radhitur në vendin e 104-të. Vitin e kaluar, Mali i Zi ishte i pozicionuar në vendin e 77-të (27 vende më mirë).

Kryeministri Djukanovic dy ditë më parë, gjatë një seancë në Kuvend, kritikoi RSF-në dhe tha se dyshon në raportin e kësaj organizatë ndërkombëtare. Ai poashtu shprehi dëshirë ta dijë se më kënd në Mal të Zi bashkëpunoi RSF gjatë përgatitjes së raportit.

Drejtori i RSF-së për Evropë Olivije Bazil për gazetën Vijesti tha se Djukanovic dëshiron ta zbuloj se kush janë ata njerëz të cilët bashkëpunuan me RSF-në gjatë përgatitjes së raportit, me qellim që mbi ata njerëz të behët presion e që në të ardhmen mos të bashkëpunojnë me organizata të ngjashme si kjo e RSF-së. Ai shtoi, se gjykimet e shumta kundër gazetarëve dhe medieve, vështirësia për të ardhur deri të informacioni, presionet ekonomike dhe krimi i organizuar bëjnë që Mali i Zi të gjendet në vendin ku është.

Më mirë se Mali i Zi pozicionohen vendet e rajonit, Bosnjë e Hercegovina është e 47-ta, Kroacia e 62-ta, Maqedonia e 68-ta, Shqipëria është 80-ta, Serbia është e 85-ta dhe Kosova e 92-ta.

Indeksi vjetor i Reporterëve pa Kufij e pasqyron shkallën e lirisë që gazetarët dhe mediat e kanë në çdo vend të botës, si dhe përpjekjet e autoriteteve për ta siguruar këtë liri.

Lista me vlerësimet për 178 shtete e pasqyron situatën me lirinë e shtypit për periudhën shtator 2009 – shtator 2010./Evropa e Lirë – Malesia.Org/

KOMENTOJE